Veliaj fitoi gjyqin me PD-në/ Me paratë e fituara blen kompjutera për shkollën “16 shtatori” në Pezë

Tirana

Veliaj fitoi gjyqin me PD-në/ Me paratë e fituara blen kompjutera për shkollën “16 shtatori” në Pezë

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 16:45
Erion Veliaj

Paratë që fitoi nga dëmshpërblimi i një gjyqi të fituar ndaj Partisë Demokratike, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj ua dhuroi nxënësve të shkollës “16 shtatori” në Pezë.

“Është vlera e një gjyqi të fituar për shpifje. Dua që ky kompjuter apo edhe të tjerë që do të pasojnë, për ta kompletuar klasën e teknologjisë së informacionit në shkollën “16 shtatori” në Pezë, të jenë edhe një dëshmi e një mentaliteti që duhet ndryshuar. Pra, duhet të kuptojmë se nuk ecet përpara me shpifje, me tallje, me intriga, me thashetheme, me llogje apo duke ngrënë fara”, tha ai. Veliaj shtoi se është e nevojshme që energjia negative e kulturës së shpifjes dhe e përfoljes së njerëzve pa fakte, të kthehet nga ves në virtyt, në një produkt si kompjuteri, i cili nesër do të mësojë fëmijët”, u shpreh ai.

Veliaj nuk preferoi të jepte detaje se për cilin nga gjyqet bëhet fjalë.

“Pa u marrë me emrat e përveçëm sesi mbërritën tek ky gjyq, edhe si fituam, dua që parimi të jetë më i rëndësishëm sesa emrat. Emrat nuk kanë rëndësi. Në mos ajo, e bën dikush tjetër, sepse ia kërkon partia. Por, dua që politika të mos na shpërfytyrojë si njerëz. Ne kemi bindjet tona, mund të jemi të majtë dhe të djathtë, kjo nuk është një arsye të nisim topat e baltës kundër një shqiptari tjetër, kundër një kolegu. Shpresa ime është që të mos fokusohemi te vesi, por te virtyti”, vijoi kryebashkiaku.

Veliaj siguroi  se një numër i konsiderueshëm i kësaj shkolle në Pezë do të mund të ndjekin kurset që do të zhvillohen në qendrën e teknologjisë te Piramida.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat