Tirana ende me depozita, banorët: S'i heqim dot pa patur ujë 24 orë

Tirana

Tirana ende me depozita, banorët: S'i heqim dot pa patur ujë 24 orë

Më: 31 janar 2020 Në ora: 20:59
Ilustrim

Afati për të zhvendosur depozitat nga tarracat e pallateve ka përfunduar më 30 janar, por në Tiranë situata mbetet e njëjtë. Banorët thonë se nuk mund ti zhvendosin pasi nuk furnizohen me ujë, ndërsa theksojnë se nuk kanë ende një vend për to.

30 janari ishte afati i fundit që administratorët e pallateve që kanë depozita në tarraca, të pajiseshin me raportin mbi qëndrueshmërinë e tarracës si dhe të identifikonin vendet e përshtatshme për vendosjen e tyre.

Por nga vëzhgimi që Ora News bëri në terren, duket se shumicën e pallateve, depozitat vijojnë të jenë aty.

Më datë 27 dhjetor bashkia ndërmori një aksion për heqjen e deopzitave nga ky pallat, aksion që duket se ka mbetur në mes, pasi depozitat vijojnë të jenë aty.

Banorët thonë se që prej asaj dite, askush nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë për zhvendosjen e tyre, teksa ripërsërisin kërkesën për ujë 24 orë.

"Ka dy vjet që paguajmë dyfishin e çmimit të ujit që të vijë uji 24 orë. Ndërsa furnizimi me ujë nga 8 orë që ka qenë ka rënë në 3-4 orë.Të vijë uji 24 orë dhe ne i heqim vetë."

Në këtë pallat janë hequr depozitat për shkak të dëmtimeve, dhe banorët thonë se tani nuk kanë ujë.

"Me legena dhe kova në banjo se nuk kemi ujë. Të na vendosin depozitë të madhe që të kemi ujë."

"Me orar vjen uji."

Për banorët, problematikë mbetet vendi se ku do të zhvendosen depozitat, pasi shpesh sheshpushimet poshtë pallateve shërbejnë si parking ose si biznese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat