Bashkia e Tiranës jep dëmshpërblimin për 302 familje të prekura nga tërmeti - Bota Sot
Bashkia e Tiranës jep dëmshpërblimin për 302 familje të prekura nga tërmeti

Tirana

Bashkia e Tiranës jep dëmshpërblimin për 302 familje të prekura nga tërmeti

Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 13:44
Foto ilustrim

Bashkia e Tiranës vijon të japë dëmshpërblime për të prekurit nga tërmeti shkatërrues i 21 shtatorit.

Krahas rindërtimit të gjithë banesave të shkatërruara plotësisht nga tërmeti, Bashkia po vijon edhe me dhënien e dëmshpërblimit për ato familje të prekura nga tërmeti i 21 shtatorit.

Këshilli Bashkiak ka miratuar listën me emra e 302 familjeve që kanë pësuar dëme ndërtimore, si pasojë e tërmetit të datës 21 shtator 2019 dhe përmbytjes së datës 23 shtator 2019, ku janë evidentuar dëme të shumta ndërtimore.

Drejtoria e Emergjencave Civile në cilësinë e strukturës përgjegjëse për mbrojtjen civile, në nivel vendor, ka plotësuar dhe verifikuar dokumentacionin në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës.

Pas përfundimit të punës në terren, stafi i njësive administrative në bashkëpunim me qytetarët ka plotësuar dosjet për secilin prej tyre me dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor dhe i ka përcjellë pranë Drejtorisë së Emergjencave Civile, për t’i hapur rrugë procesit të vlerësimit të këtyre praktikave.

Pas verifikimit të dosjeve për saktësinë e dokumentacionit, Drejtoria e Emergjencave Civile i ka përcjellë për vlerësim në Këshillin e Qarkut Tiranë. Për shkak të situatës emergjente të krijuar, është punuar me orar të zgjatur dhe për një pjesë të praktikave ka përfunduar edhe procesi i vlerësimit nga grupi i ekspertëve në Këshillin e Qarkut, të cilat janë përcjellë nga ky institucion në Drejtorinë e Emergjencave Civile, Bashkia Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat