Veliaj takohet me Fleckenstein: Kompani gjermane kanë zgjedhur Tiranën për të investuar në teknologji

Tirana

Veliaj takohet me Fleckenstein: Kompani gjermane kanë zgjedhur Tiranën për të investuar në teknologji

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 14:25
Veliaj takohet me Fleckenstein

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ish-eurodeputetin, njëherazi dhe raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. Teksa mori prej kryebashkiakut Veliaj edhe logon simbol të 100-Vjetorit të Tiranës Kryeqytet, Fleckenstein u shpreh i impresionuar të shohësh sesi po zhvillohet qyteti.

“Është impresionuese të shohësh sesi po zhvillohet ky qytet dhe 100-vjetori i shpalljes kryeqytet është një gjë, por të organizosh të gjitha këto, është një arritje e pamatë që ju e bëni në përditshmëri. Jam i lumtur që jam një mik i këtij qyteti dhe një mik juaji”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi ish eurodeputetin Fleckenstein për përpjekjen e bërë dhe lobimin që Shqipëria të bëhet vend i denjë për Bashkimin Evropian. “Jam i lumtur që një mik i Tiranës, një mik i Shqipërisë, miku ynë Knut Fleckenstein, është rikthyer në Tiranë, siç thotë shpesh edhe kryeministri ynë: ‘Ky është një qytet që në fillim i reziston, por pasi vjen, nuk i largohesh kurrë dhe kthehesh pavarësisht punës që ke’. Jam shumë i lumtur që ai është me ne, për të avancuar kauzat progresiste, ato ku besojmë, për një shoqëri më të mirë, për punësimin e të rinjve. Ndaj, në emër të të gjithë qytetarëve tanë e falënderova me zemër për kontributin që ka dhënë për ta shtyrë dhe lobuar që Shqipëria të bëhet vend i denjë për BE”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë njohu politikanin gjerman me hapat që po ndërmerr qyteti në çështjet e punësimit dhe të rritjes së ekonomisë. Veliaj u shpreh se gjithnjë e më shumë kompani të njohura gjermane po investojnë në vendin tonë, veçanërisht në fushën e teknologjisë. “Të dy biem dakord se qytetet po lëvizin gjithmonë e më shumë në çështjet e punësimit, ekonomisë, të promovimit të turizmit, ndaj besoj se Tirana mund të marrë shumë shembuj nga qytete të ndryshme gjermane, qoftë nga Hamburgu, apo nga qytete të tjera, të cilat po bëjnë sot inovacione të jashtëzakonshme. Jam shumë i lumtur që kompani gjermane si Lufthansa – Software, kanë zgjedhur Tiranën për të bazuar të ardhmen e tyre të kodimit, duke punësuar djem edhe vajzat tona, që vijnë nga teknologjia e informacionit, shpresa jonë e përbashkët është që Tirana të krijojë gjithmonë e më shumë hapësira për këta të rinj”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se ambicia e Tiranës është të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë në Teknologjinë e Informacionit. “E informova për dy akademitë që po hapim me AADF-në këtë vit, si për fëmijët te Piramida, ashtu edhe për të më të rriturit tek “Protiku”; besoj që do jemi në 2022 jo vetëm Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por edhe Kryeqyteti Evropian i Rinisë në teknologjinë e informacionit, diçka që ndoshta do të na shquajë nga të tjerët, veç gjithë të mirave që ky qytet ka, si diellin, ushqimin, ngrohtësinë dhe mikpritjen”, nënvizoi kreu i Bashkisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat