Tiranë, shtyhet mbledhja e sotme për Reformën Zgjedhore

Tirana

Tiranë, shtyhet mbledhja e sotme për Reformën Zgjedhore

Më: 6 mars 2020 Në ora: 11:38
Foto ilustrim

Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore në Shqipëri ishte parashikuar të mblidhej sot ku në rend të ditës do të diskutohej për administratën zgjedhore dhe për sistemin zgjedhor.

Por me kërkesë të PD-së, mbledhja e sotme është shtyrë për ditën e hënë, ora 10:00 me të njëjtin rend dite.

Deri të hënën pritet që opozita jashtëparlamentare të sjellë dhe propozimet e saj për çështjen e administratës zgjedhore.

Gjatë një interviste televizive në studion e A2 CNN, deputetja Rudina Hajdari, ka bërë të ditur se takimi i sotëm i tryezës për Reformën Zgjedhore është shtyrë nga opozita.

“Ka patur disa zhvillime momentet e fundit. Opozita e bashkuar e ka anuluar takimin e ditës së sotme, duke e shtyrë për të hënën. Nuk është mirë që të shtyhen takimet, pasi 15 marsi është javën tjetër. Ishte ditë e rëndësishme, sidomos për mua, duke qenë se sot do të flitej për ndryshimin e sistemit, por mbrëmë në darkë vonë erdhi njoftimi se do të shtyhet takimi”, deklaroi Hajdari.

“Urojmë që të mos jetë bojkot, por ndihem e shqetësuar për këtë fakt sepse është hera e dytë që tema e ndryshimit të sistemit shtyhet. Duhet të kuptojmë që kjo reformë bëhet për shqiptarët, dhe ashtu siç kemi dëgjuar propozimet e opozitës dhe kemi qenë të hapur, edhe opozita duhet të ketë durim dhe të dëgjojë propozimin e opozitës në Parlament dhe shqetësimet e saj”, shtoi Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat