Veliaj: Paniku me i dëmshëm se koronavirusi, do dezinfektojmë kopshtet dhe çerdhet

Tirana

Veliaj: Paniku me i dëmshëm se koronavirusi, do dezinfektojmë kopshtet dhe çerdhet

Më: 9 mars 2020 Në ora: 17:08
Erion Veliaj

Ndërsa sot qeveria vendosi që të mbyllë shkollat, universitetet, kopshtet dhe çerdhet, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pohon se këto institucione do të qëndrojnë të mbyllura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit deri në një vendim për rihapjen e tyre.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Veliaj pohoi se çerdhet dhe kopshtet janë dezinfektuar, ndërsa shtoi se kjo procedurë do të përsëritet dhe pak ditë para rihapjes së tyre.

Teksa u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe t’i shmangen turmave, Veliaj pohoi se çdo aktivitet i tillë, siç janë festimet me rastin e 14 Marsit, do të pezullohet, mes tyre dhe ardhja e këngëtarit të njohur Maluma.

“Paniku është më i dëmshëm se vetë virusi. Të ruajmë qetësinë, janë marrë disa masa, siç është mbyllja e shkollave. Ajo ishte një masë parandaluese. Kjo përfshin dhe kopshtet e çerdhet. Ne kemi dezinfektuar këto institucione, do të bëhen sërish dezinfektim, kur të jepen urdhrat për rifillim. Në momentin që qeveria do të njoftojë rihapjen e tyre, ne do të bëjmë dezinfektim para hapjes. Do të anulohen të gjitha aktivitetet, mbledhjet masive, si dhe festimet për ditën e Verës. Mezi e prisnim ardhjen e Malumës në Tiranë, por është anuluar çdo aktivitet deri në 3 prill.

Ajo që duam t’ju kërkojmë qytetarëve është që epiqendra e virusit të Shqipërisë është nga jasht ndaj do ju luteshim që kush vjen nga vendet e rrezikut, të vetëkarantinohet. Kujtdo që ka ardhur nga ndonjë prej këtyre zonave, të vetëkarantinohet. Unë jam shqiptar, jetoj në Ballkan, e njoh atë kuriozitetin që na shoqëron se; lali ça ka aty. Por i bëj thirrje shqiptarëve që të shikojnë punën e vet, të marrin masa.

I kërkoj drejtoreshave të konvikteve që këto zona duhet të jenë të zbrazura deri në 3 prill. Derisa nuk ka mësim në universitete nuk ka asnjë arsye që të vazhdojmë të jemi të grumbulluar në këto ambiente. Tirana është shtëpia e tyre e të ardhmes, por jo shtëpia e tyre e momentit. Duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe të rivijnë sapo të shpallet një datë për rihapjen e tyre”, – tha Veliaj.

Po ashtu Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin dhënien e dorës, madje edhe nëpër funerale apo dhe në ambiente të tjera.

“Ka disa aktivitete që menaxhohen nga bashkia e Tiranës, shërbimi funeral, celebrimet, disa shërbime të tjera, që ka disa tradita të mira shqiptare, që ne shkojmë dhe bëjmë për njëri-tjetrin. Duke qenë se jemi në situatë emergjence ajo që kërkohet në situata të tilla, në tubime të mëdha, është që në takime ku duhet të japim dorën dhe ngushëllojmë përmes dhënies së dorës, do të duhet të mos e bëjmë më këtë, por të gjejmë mënyra alternative për të shprehur keqardhjen.

Në çdo shërbim funeral, në Sharrë dhe në Tufinë, duhet të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës. Ky është një moment për të shtyrë pritjet dhe përcjelljet e morteve, si në Sharrë dhe në Tufinë. Dua që për këtë ë të kemi një informacion publik”, theksoi kryebashkiaku.

Ndër të tjera, Veliaj ka bërë me dije se dyqanet ushqimore apo supermarketet që do të rrisin çmimet, duke shfrytëzuar situatën e koronavirusit, do të gjobiten ose do të procedohen penalisht. "Do të jemi të pamëshirshëm me gjoba dhe procedim penal për këdo pronar biznesi, supermakete, dyqane ushqimore që abuzojnë me çmimet. Nuk do tolerojmë më një qytet hienash, rrëzohemi bashkë, por bashkë do të ngrihemi", tha Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat