Besimtarët e Tiranës i kërkojnë Komunitetit Mysliman të hapë xhamitë gjatë Ramazanit - Bota Sot
Besimtarët e Tiranës i kërkojnë Komunitetit Mysliman të hapë xhamitë gjatë Ramazanit

Tirana

Besimtarët e Tiranës i kërkojnë Komunitetit Mysliman të hapë xhamitë gjatë Ramazanit

Më: 19 prill 2020 Në ora: 23:55
Besimtarët e Tiranës

Një grup besimtarësh myslimanë i kanë kërkuar Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të hapë xhamitë gjatë muajit të Ramazanit, 23 prill – 23 maj.

Në një peticion online, ata i propozojnë Myftinisë së Tiranës që të hapë xhamitë për besimtarët duke respektuar me rigorozitet rregullat e distancimit social të përcaktuara nga autoritetet e shëndetit publik.

Hartuesit e propozimit shprehen se “strategjia e karantinimit të plotë po ia lë vendin aplikimit të distancimit social për të vijuar gradualisht punën në të gjithë sektorët e ekonomisë. Shtimi i kontakteve ndërmjet njerëzve po konsiderohet dita-ditës i administrueshëm nëse zbatohen me rigorozitet rregullat e distancimit social, që ka nxjerrë së fundmi Ministria e Shëndetësisë.”

Besimtarët kërkojnë që, në kushtet e reja të lehtësimit të izolimit, Myftinia e Tiranës të ndryshojë vendimin e datës 11 mars për anulimin e faljeve kolektive ditore dhe ato të ditës së premte.

Nënshkruesit thonë se pjesëmarrja në lutjet ditore në xhamitë e qytetit duhet megjithatë të mbetet e kufizuar dhe e rregulluar me rigorozitet, por xhamitë të mos rrinë të mbyllura dhe lutjet në shtëpitë e Zotit, siç e quajnë ata, të mos ndërpriten.

Grupi i besimtarëve i bën thirrje Komunitetit Mysliman të marrë masa për zbatimin e rregullave shëndetësore të përcaktuara nga autoritetet për të mbrojtur besimtarët nga mundësia e përhapjes së COVID-19, duke përfshirë ruajtjen e distancës gjatë faljes, përcaktimin e numrit të besimtarëve që mund të falen njëkohësisht në çdo xhami, shënjimin e secilit vend për falje, angazhimin e kompanive të sigurisë për të siguruar zbatimin e rregullave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat