Veliaj: Përfitoni nga ‘Fondi i Komunitetit’ për transformimin e pallatit. Në 30 qershor nisin pagesat e para për dëmtimet e tërmetit

Tirana

Veliaj: Përfitoni nga ‘Fondi i Komunitetit’ për transformimin e pallatit. Në 30 qershor nisin pagesat e para për dëmtimet e tërmetit

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 12:49
Erion Veliaj

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Njësinë 7, ku inspektoi restaurimin e fasadës së një blloku pallatesh në Rr. “Muhamet Gjollesha”. Ai tha se ky investim ul vlerën e faturës së energjisë mujore për banorët, si dhe rrit vlerën e pronës së tyre.

“Duket sikur është pallat i ri, por në fakt është një pallat 48-50 vjeçar. E bën më të paraqitshëm dhe i rrit vlerën kësaj prone. Është bërë një punë e shkëlqyer me një pallat, që nuk mendoja se mund të transformohej. Kjo ndodh kur ne shqiptarët bashkëpunojmë, qoftë si qytet, qoftë si lagje, qoftë edhe 20 familje të një pallati; mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Është model edhe për pallatet e tjera. Duhet vetëm pak bashkëpunim! Nëse bëjmë llogarinë, na del se më mirë i bëjmë një veshje me kapotë dhe përfitojmë gjysmën e parave nga fondi i bashkisë”, deklaroi Veliaj.

Ai ftoi edhe qytetarët e tjerë të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”, ku 50% të vlerës e paguan bashkia dhe 50% mblidhen nga kontributet e banorëve. “Shtëpitë janë privatizuar që në vitet 92-93, pra nuk janë të bashkisë. Muk duhet të mbetemi me mentalitetin e vitit 92-93, ku thoshim bashkia të bëjë këtë e atë. Duhet të zgjidhni administratorin, kurse bashkia si kurrë më parë e si në asnjë qytet tjetër, paguan 50% të kostos. Por, kjo do bashkëpunim. Kjo është thirrja e parë. I ftoj qytetarët, ata që nuk kanë probleme me tërmetin, të përfitojnë nga ky fond”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se nga data 30 qershor do të nisë dhënia e pagesave për kategoritë DS1, DS2, DS3, ndërsa shumë shpejt nis puna për rindërtimin e shtëpive të shpallura të pabanueshme.

“Në datën 30 qershor do të kemi bërë pagesat e para për kategoritë DS1, DS2, DS3. Paguajmë cash për ata që kanë dëmtime të lehta. Mjafton të marrin një kompani, të lidhen me administratorin dhe të bëjnë këto lloj punimesh. Për dëmtimet e rënda – DS4, DS5 – nëse është pallat do ta bëjë Bashkia; nëse është privat, do ta bëjnë brigadat sipas dosjeve që kemi për ndërtimin e shtëpive. Kemi një shans fantastik që ta veshim qytetin nga e para. Ku është pallat i padëmtuar, të vishet me kapotë; ku është i dëmtuar nga tërmeti, të rregullohet me atë fond, kurse shtëpitë private të rrëzuara apo pallate të pabanueshëm, t’i ribëjmë. Nëse ecim me këtë frymë, e kthejmë krizën në mundësi”, theksoi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat