Nis transformimi i bllokut pranë “Fabrikës së Qelqit”, rikonstruktohen 14 rrugë

Tirana

Nis transformimi i bllokut pranë “Fabrikës së Qelqit”, rikonstruktohen 14 rrugë

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 18:37
Ilustrim

Rikonstruksioni i blloqeve të banimit, rrugëve dhe rrugicave në çdo lagje, por edhe pajisja e tyre me kënde lojërash, është një nga prioritetet kryesore të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punën për rehabilitimin e bllokut që kufizohet nga rrugët “Fabrika e Qelqit”, “Konferenca e Pezës”, “Besim Alla” dhe “Jorgo Panajoti”, ku përfshihet edhe rikonstruksioni i 14 rrugëve.

Ai tha se e gjithë zona po njeh një sërë investimesh të rëndësishme. “Në këtë lagje po fryn një erë ndryshimi. Mbaj mend kur ishim këtu para 3-4 vitesh, ishte plot me inerte të mbetura nga ndërtimi i pallateve të reja në zonën e “Misto Mames” dhe të Kombinatit, të cilat ishin kthyer në shtrat të rrugës dhe njerëzit ecnin mbi to. Por, sot jemi dita me natën! Më vjen mirë sepse këtu jeton një komunitet jashtëzakonisht i madh, me njerëz nga çdo cep i Shqipërisë,është një mozaik bindjesh, pikëpamjesh, e megjithatë njerëzit janë bërë bashkë sepse bashkëpunimi është çelësi”, tha Veliaj.

Ai shtoi se aty ku njerëzit bashkëpunojnë, edhe rezultatet janë më të mira. “Pasi mbaruam bllokun “Misto Mame”, po i afrohemi pak e nga pak ‘Fabrikës së Qelqit’, për të sjellë infrastrukturë e kanalizime edhe në këto 14 rrugë. Ne dimë si shtrohet asfalti, pllakat, ndriçimi, ama ndonjëherë janë10 cm në kokë që bëjnë diferencën. Kur njerëzit ndryshojnë mentalitetin dhe arrijnë të kuptojnë që bashkëjetesa vjen me negociata dhe mirëkuptim, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi banorët se investimet do të vijojnë edhe me blloqet e tjera të banimit, për të sjellë më shumë urbanizim. “Siç e filluam me rrugën kryesore të Kombinatit, vazhduam deri në Vaqarr, ku u bënë blloqet nga të dyja anët e Kombinatit të vjetër, puna që po bëjmë në “Misto Mame”, afër Fabrikës së Qelqit, sjell të njëjtën cilësi për njerëzit”, u shpreh ai. Veliaj dha lajmin e mirë edhe të nisjes së punimeve për rikonstruksionin e dy shkollave “Lasgush Poradeci” dhe “Musine Kokalari”.

Por, lajmi i mirë i kësaj jave është nisja e dhënies së pagesave cash për të prekurit nga tërmeti. Veliaj bëri me dije se shumë shpejt do të fillojnë edhe projektet e rindërtimit për dy kategoritë e tjera. “Këtë javë do të bëjmë 3 mijë pagesat e para cash për familjet me dëmtime të shkallës DS1, DS2, DS3; pra, dëmtime që mund të riparohen. Nga java tjetër fillojmë ndërtimin e shtëpive individuale, kryesisht për zonën e Sharrës dhe periferinë e Kombinatit. Për pallatet që do të prishen, inxhinierët kanë vlerësuar deri tani 41 pallate, kryesisht në Kombinat”, nënvizoi ai.

Veliaj theksoi se me lagjet e reja nis zhvillimi më i madh në historinë e Kombinatit. “Të ndahesh nga shtëpia jote mbart shumë emocione, nostalgji, është e lidhur me shumë kujtime, por në fund vendosin inxhinierët: nëse vendimi është për të prishur 41 pallate apo më shumë, do t’i prishim dhe do të bëjmë pallatet e reja në anën tjetër të rrugës. Këto janë vendimet që presim të marrim në Këshillin Bashkiak për pagesat cash, për shtëpitë reja individuale dhe për pallatet e reja që do të ndërtohen në Kombinat. Duke i bërë nga e para disa lagje ku nuk kishte as insfrastrukturë, hapim erën më të madhe të zhvillimeve në gjithë historinë e Kombinatit”, përfundoi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi vëmendjen e Bashkisë së Tiranës ndaj zonës së Kombinatit si në infrastrukturë, ashtu dhe në shërbime. “Në Kombinat është punuar në të gjitha drejtimet, qoftë në aksin kryesor, qoftë në Sharrë, që ishte kthyer në gangrenë, qoftë në shkolla, kopshte dhe po vazhdohet kështu me infrastrukturën, gjelbërimin. Kombinati nuk është më një lagje periferike, por do jetë një lagje nga më të mirat e Tiranës, edhe për hapësirën, edhe për shërbimet”, theksoi Gjylameti.

Krahas ndërtimit të shtresave të reja rrugore, po kryhen punime për disiplinimin sa më të mirë të ujërave, vendosjen e ndriçimit dhe të sinjalistikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat