LVV në Tiranë kundër ndryshimeve kushtetuese: Deformojnë vullnetin e qytetarëve dhe sistemin zgjedhor

Tirana

LVV në Tiranë kundër ndryshimeve kushtetuese: Deformojnë vullnetin e qytetarëve dhe sistemin zgjedhor

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 18:43
LVV

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri shprehet kundër votimit të ndryshimeve kushtetues më 30 korrik, duke i cilësuar si një tentativë të re për të deformuar edhe më shumë vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.

”Jemi të vetëdijshëm se ndryshimet e mëdha në Shqipëri nuk do të vijnë përmes çështjeve procedurale të reformës zgjedhore, por është e rëndësishme të kuptohet se ndryshimet e propozuara kushtetuese e përkeqësojnë edhe më tej sistemin zgjedhor në vendin tonë. Këto ndryshime po bëhen në kundërshtim me praktikat e mira, që kërkojnë që mos të ndryshohet rregullat më pak se një vit para zgjedhjeve. Gjithashtu, ndryshimet u propozuan në mënyrë të njëanshme para dy javëve dhe tani, më 30 korrik, duan t’i miratojnë me ngut pa asnjë analizë të efekteve afatgjata që do të kenë. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri i cilëson këto ndryshime si një tenativë e re për të deformuar edhe më shumë vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e radhës, duke krijuar një prag të dyfishtë, që në të vërtetë është pengesë e dyfishtë për përfaqësimin e vullnetit qytetar në Kuvend, si dhe duke bërë një dredhi lidhur me hapjen e pjesshme të listave.”

Sipas LVV, heqja e koalicioneve me lista të veçanta dobëson cilëndo opozitë në Shqipëri dhe përforcon pushtetin.

”Palët e përfshira në debatin publik nuk po flasin për pragun e dyfishtë zgjedhor, por po flasin për koalicionet dhe listat e hapura. Është e vërtetë që heqja e koalicioneve me lista të veçanta e dobëson cilëndo opozitë në Shqipëri dhe përforcon pushtetin – jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në të ardhmen. Më tej, nëse subjektet më të vogla i drejtohen për koalicion subjekteve të mëdha për të tejkaluar padrejtësinë e pragut të dyfishtë, atëherë do të kenë më pak peshë negociuese përpara subjekteve më të mëdha, dhe do të varen krejtësisht nga vullneti i tyre për peshën që do të marrin brenda listës së një koalicioni të mundshëm. Sërish kjo rrezikon të përkthehet në deformim të vullnetit të qytetarëve që kërkojnë alternativa të reja.”

Përmes një postimi në Facebook, LVV shkruan se ndryshimet kushtetuese jo vetëm që nuk zgjidhin probleme, por krijojnë procedura të reja që e deformojnë më shumë sistemin zgjedhor.

”Ndryshimet e propozuara kushtetuese jo vetëm që nuk zgjidhin probleme por edhe krijojnë procedura të reja që e deformojnë më shumë sistemin zgjedhor. Të njëjtat probleme do të mbeten në Shqipëri, e ato lidhen me mungesën e programeve të qarta politike, ose me programe të gabuara, me mungesën e moralit në politikë, me financimin e fushatës nga oligarkët që kanë monopolizuar sektorë të tërë të ekonomisë, e që ndikojnë drejtpërdrejt tek partitë e mëdha, me kandidatët më të pasur që do të kenë avantazh në fushatë para atyre që nuk kanë pasuri, e kështu me radhë. Të gjitha këtyre problemeve po duan t’u shtojnë edhe deformimet që krijojnë ndryshimet e propozuara kushtetuese.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat