Pandemia nuk frenon rritjen, "Astiri" dhe "Misto Mame" dyfishojnë çmimet e banesave

Tirana

Pandemia nuk frenon rritjen, "Astiri" dhe "Misto Mame" dyfishojnë çmimet e banesave

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 15:48
"Astiri" dhe "Misto Mame" dyfishojnë çmimet e banesave

Kush mendoi se pandemia do të frenonte shitblerjet në tregun imobiliar në Tiranë, ka gabuar pasi të dhënat më të fundit tregojnë rritje drastike të çmimeve të qirave dhe shtëpive të reja në pothuajse të gjitha zonat e kryeqytetit.

Ervin Demi nga agjencia imobiliare "Rexhina" pranë rrugës "Muhamet Gjollesha" në Tiranë thotë për Gazeta "Shqip" se zonat pranë qendrës si ish-blloku, rruga "M.Shyri" vijojnë të mbeten të preferuara dhe çmimet e qirave aty nisin nga 300 euro për banesa 1+1, por ajo çka po konstatohet është rritja e vlerës në zona periferike si ish fusha "Misto Mame" dhe Unaza e Re apo siç njihet "Astiri".

"Edhe para nisjes së pandemisë në këto zona kishim kërkesa të larta për qira. Nevojat për strehim si pasojë e tërmetit vijuan dhe gjatë muajve të pandemisë e vijojnë akoma. Zona e Astirit ka ndryshuar komplet panoramën e çmimeve. Nëse deri dje qiratë në këtë zonë për hyrje të vogla nisnin nga 20 mijë lekë, sot nuk gjen me këtë çmim. Hyrjet një plus 1 variojnë nga 30-35 mijë lekë ndërsa çmimet e apartamenteve të reja nisin nga 750 euro ndryshe nga vitet e shkuara kur mund të gjeje dhe me 450 euro në këtë zonë", thotë agjenti imobiliar Ervin Demi.

Zona e parë informale në Tiranë, zona e "Don Bosko" vijon të jetë on the top sa i takon kërkesave për shtëpi me qira. Kryesisht studentë italianë që ndjekin studimet në Tiranë apo shtetas që punojnë në kompanitë Call Center, janë ata që zgjedhin më së shumti për të jetuar në këtë zonë ku çmimet e qirave nuk zbresin poshtë 250 euro për banesa me një sipërfaqe 58 metra katrorë.

Por agjencitë imobiliare kanë konstatuar se pandemia nuk ka rrudhur financat familjare pasi zona pranë qendrës si ish-blloku, zona e Selvisë apo "M.Shyri" të preferuara nga të huajt, sot po kërkohen dhe nga  shqiptarët. "Sapo përfunduam kontratën për një shtëpi me qira në ish-bllok me vlerë 800 euro në muaj dhe parapagim 6 muaj. Ata që e morën ishin familje shqiptare. Pas tërmetit dhe muajve të pandemisë, kërkesat nga brenda janë në rritje", thotë një tjetër përfaqësues i një agjencie imobiliare.

Edhe shitjet e apartamenteve të reja kanë pësuar rritje. Agjencitë imobiliare konfirmojnë se me gjithë çmimet në rritje, kërkesat për blerje apartamentesh janë të larta.

"Në të gjithë zonat e kryeqytetit ka rritje të çmimeve. Nuk gjen sot apartament nën 750 euro dhe në zonat periferike. Përveç zonës së Freskut që mbetet më e lira sot, askund tjetër nuk ka apartamente poshtë këtij çmimi. Çudi bëjnë zona si "Misto Mame" dhe "Astiri" ku çmimet kanë fluturuar.

Duket se projekti i Unazës së Re ka ndryshuar 360 gradë situatën e tregut imobiliar në këto zona. Rritje të çmimit të pallateve ekzistuese, të ish-regjimit komunist,  vërejmë dhe në zonat pranë qendrës.

Për shembull në rrugën "Myslym Shyri" nuk gjen apartament nën 65 mijë euro, pa investim, kur dikur çmimi varionte 50-55 mijë euro për hyrjet 1+1", thotë një tjetër agjent imobiliar për "Shqip".

Pra, shqiptarët po investojnë fuqishëm në strehim duke mos pyetur për pasigurinë e krijuar prej pandemisë së koronavirusit.

Çmimet me qira më të larta 250-800 euro

"Don Bosko", "M.Shyri", ish-blloku, Selvia

Çmimet më të ulëta të qirave

Zona e Freskut, Yzberisht, Kashar

Çmimet më të larta për shitjen  e apartamenteve të reja

"Don Bosko"  850-1000 euro

"Misto Mame" dhe "Astiri" 750-850 euro

Çmimet më të ulëta, apartamente të reja

Zona e Freskut

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat