Gjyqtari i Apelit të Tiranës bind KPK-në për apartamentin e tezes dhe konfirmohet në detyrë

Tirana

Gjyqtari i Apelit të Tiranës bind KPK-në për apartamentin e tezes dhe konfirmohet në detyrë

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 17:45
Genti Shala

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Genti Shala u konfirmua në detyrë më 4 gusht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa një çështje e gjykuar prej tij u transferua për inspektim në ILD. Procesi i vetingut për Shalën u krye nga trupa e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Firdes Shuli.

Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se gjyqtari Shala mori vlerësime pozitive për figurën dhe profesionalizmin, ndërsa arriti të bindte trupën gjykuese se një apartament i blerë në vitin 2000 i përkiste në të vërtetë tezes së tij.

KPK ka konstatuar fillimisht se Shala nuk e ka pasqyruar këtë pasuri në deklaratën periodike vjetore të vitit 2003. Gjithashtu, nuk ka shënuar në deklaratën periodike vjetore të vitit 2004 shkëmbimin e apartamentit, shitjen, si dhe të ardhurat e përfituara.

Pasi Komisioni ka kërkuar shpjegime, Shala ka deklaruar se kjo pasuri nuk ka qenë kurrë e tij, por e familjes së tezes. Ai ka sqaruar se familja e tezes ishte vendosur në vështirësi financiare në vitin 1996 për shkak të borxheve që kishte krijuar djali i saj nga falimentimi i një aktiviteti privat, i ngritur me vlera financiare të marra hua.

Ai ka dorëzuar në KPK disa deklarata noteriale të vitit 1996, ku pasqyrohej fakti se shtëpia që familja e tezes kishte përfituar nga privatizimi, ishte shitur dy vite më pas, pasi ishte lënë si garanci për disa hua që kishte marrë djali i saj për zhvillimin e një aktiviteti privat.

Shala ka shpjeguar se në dhjetor të vitit 2000, tezja dhe bashkëshorti i saj kishin gjetur një mundësi për të blerë një apartament në periferi të qytetit të Tiranës me çmim 19 mijë USD dhe se kishin u kishin kërkuar ndihmë financiare në shumën 1 milion lekë prindërve të tij, pasi nuk e disponin të gjithë vlerën. Subjekti ka shtuar se për shkak se prindërit dispononin vetëm 500 mijë lekë, u kanë kërkuar ndihmë dy motrave të tij, të cilat së bashku kanë plotësuar shumën 500 mijë lekë.

Sipas shpjegimeve të gjyqtarit Shala, kur ai ka shkuar në Tiranë për t’i dorëzuar tezes dhe bashkëshortit të saj huanë prej 1 milion lekësh që i kishin dhënë prindërit, ata i kanë shprehur frikën dhe hezitimin që kishin për ta blerë banesën në emrin e tyre, për shkak të detyrimeve të pashlyera të të birit, që i detyruan të shisnin edhe banesën e tyre të mëparshme.

“Në këto rrethana, ata më kërkuan që kontratën për apartamentin që kishin vendosur të blinin ta regjistronin në emrin tim, për të qenë ata të qetë, si dhe për të siguruar borxhin e dhënë nga ana e familjarëve të mi… Pas kësaj bisede kemi shkuar tek noteri dhe unë kam nënshkruar kontratën e shitjes,” ka shpjeguar Shala.

Ai ka shtuar se disa ditë më pas, ka lëshuar një prokurë të posaçme, nëpërmjet të cilës i ka dhënë bashkëshortit të tezes, shtetasit A. B., çdo të drejtë, përfshirë dhe tjetërsimin mbi këtë apartament dhe i ka kërkuar që sa më të shpejt ta kalonin pronësinë në emër të tyre. Në vendim sqarohet se Shala e ka dorëzuar prokurën e posaçme të janarit të vitit 2001.

“Në shtator 2004, apartamenti ka kaluar edhe ‘de jure’ në pronësi të shtetasit A. B., sipas kontratës së shitjes nr. *** rep., nr. *** kol., datë 29.9.2004, të cilën e kam nënshkruar personalisht. Në këtë kontratë, si çmim është vendosur shuma prej 1.000.000 lekësh, që ishte detyrimi që tezja dhe bashkëshorti i saj kishin ndaj prindërve të mi dhe që në fakt ishte kthyer nga familja e tezes tek prindërit e mi pothuajse plotësisht, deri në fund të vitit 2003,” ka thënë gjyqtari.

Në përfundim, trupi gjykues vlerëson se subjekti në asnjë rast nuk ka rezultuar titullar i kësaj pasurie në kontratën e energjisë elektrike dhe atë të ujit. Gjitashtu, evidentohet fakti se gjithë dokumentacioni i dorëzuar nga Shala në funksion të shpjegimeve të tij ka qenë i prodhuar në kohën reale.

Komisioni e konsideron të besueshëm argumentin e subjektit se fillimisht ai e kishte vënë apartamentin në emrin e tij me qëllim që të mos bëhej edhe kjo pasuri objekt hipotekimi për të grantuar kthimin e borxheve huadhënësve.

Mosdeklarimin e kësaj pasurie nga subjekti në vitin 2003, trupi gjykues e konsideron si një veprim të ndërvarur nga situata, të cilën e vlerëson objektive. Komisioni evidenton se kryerja e shkëmbimit dhe shitjes me prokurë nga ana e bashkëshortit të tezes, në mënyrë indirekte i japin këtij të fundit pozitën e tij pronësore.

Komisioni arrin në përfundimin se subjekti nuk e ka poseduar apo gëzuar ‘de facto’ këtë pasuri, ndërkohë që mosdeklarimi në vitin 2003 vlerësohet si një pasaktësi. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat