Paratë për teatrin nga qeveria/ Bashkia e Tiranës kërkon fonde në pritje të BEI

Tirana

Paratë për teatrin nga qeveria/ Bashkia e Tiranës kërkon fonde në pritje të BEI

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 20:49
Pamje nga video

 Bashkia e Tiranës ka kërkuar mbështetjen e qeverisë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar deri në negocimin e kredisë me Bankën Europiane të Investimeve.

Paralelisht, nënkryetari Arbian Mazniku i ka bërë apel ekzekutivit të alokojë fonde për vitin 2021 edhe për bashkëfinancimin e 17 shkollave, pagesat për koncesionin e mbetjeve si dhe dhënien e 2% të tatim fitimit mbi të ardhurat personale.

“Ne kërkojmë të financojnë pjesërisht teatrin dhe me mbylljen e kredisë në i kthejmë paratë buxhetit. Po ashtu, duhet që qeveria të kryejë pjesën e saj të pagesave për 17 shkollat, pasi bashkia e ka bërë pjesën e saj. Po ashtu, me rëndësi është edhe marrëveshja për pagesat e koncesionit të pastrimit dhe mbetjeve, pasi janë vënë më ak fonde nga sa duhen për këtë investim”, tha Mazniku.

Teksa bashkitë kanë kërkuar më shumë fonde për vitin 2021, deputeti socialist Anastas Angjeli ka propozuar përmbysjen e skemës së financimit të tyre përmes formulës së transfertës së pakushtëzuar, duke argumentuar se shumë bashki të prekura nga tërmeti dhe pandemia kanë nevojë për më shumë fonde. Dhe kjo, shtoi ai e bën formulën të pazbatueshme.

 “Është momenti që të shikojmë bashkitë më në nevojë. Ata duhet të marrin më shumë fonde. Le të mos e zbatojmë formulën. E kemi vetë në dorë. Keni mbështetjen time dhe do rishikojmë buxhetin për pushtetin vendor.”, tha ai.

Paralelisht, Angjeli ka propozuar edhe përdorimin e instrumentit të kredisë nga njësitë e pushtetit vendor, diçka që sipas tij duhet të bëhet mbi bazën e zbatimit të disa kritereve rigoroze dhe pa rritur borxhin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat