Dita e Çlirimit të Tiranës/ Meta: Mesazhet e lirisë, paqes e luftës kundër tiranisë tingëllojnë edhe sot

Tirana

Dita e Çlirimit të Tiranës/ Meta: Mesazhet e lirisë, paqes e luftës kundër tiranisë tingëllojnë edhe sot

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 10:39
Foto ilustrim

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka përkujtuar 76-vjetorin e ditës së Çlirimit të Tiranës.

Sipas tij, lufta fitimtare për kryeqytetin i hapi rrugën Çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe ruajtjes së integritetit dhe kufijve të shtetit shqiptar.

Ai s’ka nguruar që në këtë ditë në mesazh të përcjellë edhe nota politike, duke krahasuar aktualitetin me vitin 1944. Meta thekson se mesazhet e mëdha të lirisë, paqes dhe luftës kundër tiranisë, tingëllojnë edhe sot, të nderuara dhe të pacenuara nga koha dhe devijimet e mëvonshme të kauzës së lirisë të partizanëve tanë të lavdishëm.

Postimi i Metës:

Sot, përkujtojmë me nderim të thellë dhe krenari të ligjshme, 17 Nëntorin 1944, Ditën e kurorëzimit me fitore të betejës legjendare për Çlirimin e Tiranës, kryeqytetit tonë, nga pushtuesit nazifashistë!

Lufta fitimtare për Kryeqytetin i hapi rrugën Çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe ruajtjes së integritetit dhe kufijve të shtetit shqiptar.

76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet.

Për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit!

Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste.

Mesazhet e mëdha të lirisë, paqes dhe luftës kundër tiranisë, tingëllojnë edhe sot më aktuale se kurrë, të nderuara dhe të pacënuara nga koha dhe devijimet e mëvonshme të kauzës së lirisë të partizanëve tanë të lavdishëm.

Sot përulem me respekt ndaj Dëshmorëve të Atdheut, të cilët dhanë gjakun për Çlirimin e Kryeqytetit.

Me mirënjohje për të gjithë partizanët, sot nderojmë edhe popullin e Tiranës, që u bë njësh me çlirimtarët kundër pushtuesve, duke ndërtuar barrikadat për çlirimtarët dhe kthyer shtëpitë e tyre në fortifikata kundër pushtuesit.

Përjetë lavdi Dëshmorëve të rënë për Çlirimin e Tiranës!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat