Tirana feston 76-vjetorin e Çlirimit, Veliaj: Po ajo minorancë e rrënuar moralisht votoi raportin e Dick Martit dhe e cilësoi UÇK-në terroriste

Tirana

Tirana feston 76-vjetorin e Çlirimit, Veliaj: Po ajo minorancë e rrënuar moralisht votoi raportin e Dick Martit dhe e cilësoi UÇK-në terroriste

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 11:23
Erion Veliaj

Nga ushtari i Panjohur, ku u zhvillua ceremonia e 76-Vjetorit të Çlirimit të Tiranës, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, deputetë, përfaqësues të qeverisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe dhjetëra veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, përkujtuan dëshmorët që dhanë jetën për liri. Në fjalën e tij, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ka ende sot njerëz që duan të na përçajnë dhe që janë gati të bashkëpunojnë me armiqtë, duke tradhtuar vendin.

“Për fat të keq, kësaj minorance nuk i shpëtoi as lufta e lavdishme e UÇK-së, duke guxuar ta cilësojnë atë si organizatë terroriste, po ato minoranca e zhurmshme e rrënuar moralisht votuan raportin e Dick Martit, si dhe gatuan lloj-lloj dosjesh për “Shtëpinë e Verdhë”. Është po ajo minorancë e zhurmshme që donte të shiste edhe detin. Është po e njëjta minorancë që, edhe sot, do të na ndajë në luftën kundër virusit dhe në betejën e rindërtimit. Nuk do t’ia dalin! JO, sepse qytetarët tashmë kanë vendosur të qëndrojnë të bashkuar me familjen tonë, me familjen më të madhe patriotike të Republikës së Shqipërisë, që është familja socialiste e Shqipërisë! Këto ditë na ka bërë bashkë një thirrje: “Liria ka emër”! E megjithatë nuk duhet të harrojmë të pyesim: Po tradhtia, shitja, e pabesia ndaj heronjve, a ka një emër”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se historia është kokëfortë dhe na tregon se kur ne shqiptarët bashkohemi e punojmë për qëllime pozitive, ia dalim. “Pavarësisht se edhe në atë kohë kishte një minorancë të zhurmshme që tha më mirë bashkëpunojmë me fashizmin sesa luftojmë me partizanët, të tilla minoranca të zhurmshme kemi, për fat të keq, edhe sot mes nesh. Ka ende nga ata që thonë më mirë të përdorim Covid-in se sa të luftojmë me të tjerët për ta mundur. Më mirë të politizojmë tërmetin sesa të bashkohemi dhe të ndihmojmë, më mirë të shtojmë vilat tona sesa të japim një shtëpi për fukarenjtë. Ka ende sot një minorancë të zhurmshme që më mriz bashkëpunon me armiqtë e këtij vendi se sa me shumicën morale të qytetit dhe të vendit tonë”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky është edhe një moment reflektimi edhe sot e për të kujtuar se heronjtë zgjodhën të mbajnë besimin se kauza e luftës së tyre ishte e drejtë dhe pikërisht ky besim i mbajti të fortë dhe të vendosur për të vazhduar përpara. “Ka një kufi ndarës të qartë sepse kur filloi lufta, fundi dukej i largët për çdokënd, siç na duket e largët fundi me betejën për Covid-in apo me rindërtimin, dhe e ardhmja e zymtë dhe e pa qartë. Por heronjtë zgjodhën të mbajnë besimin se kauza e luftës së tyre ishte e drejtë dhe pikërisht, ky besim i mbajti të fortë dhe të vendosur për të vazhduar përpara. Ishin pikërisht ata, heronjtë, që në kokën e tyre nuk bluanin asnjë ideologji mes të majtës apo të djathtës, apo kalkulimet politike përveç se dëshirën për të jetuar në paqe dhe të lirë. Për Partinë Socialiste, për familjen tonë të madhe politike, lufta nacionalçlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie dhe si forcë politike mbetemi të papërkulshëm në detyrimin për të lartësuar dhe respektuar veprën e atyre brezave patriotik dhe kombëtar që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe ngjizën përjetësisht ëndrrën e vendosjes së Shqipërisë në binarët evropian dhe të ardhmes euroatlantike”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat