Fëmijët me aftësi të kufizuara marshojnë në Tiranë për të drejtat e tyre së bashku me prindërit

Tirana

Fëmijët me aftësi të kufizuara marshojnë në Tiranë për të drejtat e tyre së bashku me prindërit

Më: 20 mars 2022 Në ora: 18:23
Fëmijët me aftësi të kufizuara marshojnë në Tiranë

Disa qindra vullnetarë dhe familjarë të fëmijëve me aftësi të kufizuara marshuan sot në rrugët kryesore të Tiranës, duke kërkuar plotësimin e të drejtave të tyre njerëzore.

Shqipëria ka aktualisht afro 1 mijë e 300 mësues ndihmës, që ndihmojnë rreth 3 mijë e 500 fëmijë me paaftësi të ndryshme.

Në prag të Ditës Botërore të Sindromit Down, ata bënë thirrje për më shumë kujdes nga shoqëria dhe institucionet shtetërore në shërbim të fëmijëve me aftësi ndryshe si dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore për trajtimin më të mirë të tyre.

Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, duke marrë përsipër që t’i zbatojë këto të drejta.

Themeluesja e Fondacionit Down Syndrome Albania, Emanuela Zaimi Pepkola, thotë se Qendra e tyre Pro Pak u shërben të gjithë grupimeve fëmijëve. Ajo theksoi se Shqipëria ka miratuar ligjet më të mira për fëmijët me sindromin down dhe ata me aftësi të kufizuar në përgjithësi, por ashtu si edhe në fusha të tjera, zbatimi i tyre nuk është i mjaftueshëm, sepse më shumë se gjysma e tyre janë ende jashtë sistemit arsimor.

“Shqipëria, pavarësisht se ka bërë hapa të konsiderueshëm përpara në lidhje me sigurimin e mësuesve ndihmës në arsim, përsëri 59 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara të moshave 6-18 vjeç janë jashtë sistemit arsimor public dhe privat. Jemi ende shumë larg në disa aspekte: edhe në numrin e pamjaftueshëm të mësuesve ndihmës, edhe në sigurimin e curiculave shkollore të përshtatura gjithëpërfshirëse, si dhe përshtatjen e gjithë mjediseve shkollore gjithëpërfshirëse” - tha zonja Zaimi.

Pjesa më e madhe fëmijëve me aftësi të kufizuara jetojnë në Tiranë, ku edhe janë përqëndruar shumica e shërbimeve të kualifikuara për ta.

Tirana ka aktualisht 720 fëmijë me aftësi ndryshe nga sistemi parashkollor deri në klasën e e dymbëdhjetë, si dhe 250 mësues ndihmës në shërbim të tyre.

Për një udhëzimi të ministrisë së arsimit është vendosur që një mësues ndihmës duhet të punojë me 2 deri në 3 fëmijë me aftësi ndryshe, pasi prindi të kërkojë që fëmija i vet të mbështetet me mësues të këtij specialiteti.

Sipas të dhënave më të fundit, prindërit e afro 90 për qind e fëmijëve që marrin raport nga komisioni i vlerësimit të paaftësisë për punë, KEMP, e pranojnë gjendjen dhe kërkojnë mësues mbështetës dhe vetëm një pjesë e vogël e refuzojnë mbështetjen.

Shqipëria ka afërsisht 3 mijë e 500 fëmijë me paaftësi të ndryshme dhe në shërbim të tyre janë punësuar deri tani afro 1 mijë e 300 mësues ndihmës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat