Socialistët "zaptojnë" Tiranën nesër, çfarë pritet të ndodhë në kongresin e PS

Tirana

Socialistët "zaptojnë" Tiranën nesër, çfarë pritet të ndodhë në kongresin e PS

Më: 8 prill 2022 Në ora: 14:39
Foto ilustrim

Të shtunën, qendra e Tiranës do të “zaptohet” nga socialistët të cilët me panele të vendosura në sheshin Nënë Tereza, Sheshi Italia dhe në hollin e Pallatit të Kongreseve do të bëjnë analizën e qeverisë. Gjithashtu ministra dhe deputetë e mazhorancës do të parashtrojnë edhe prioritetet e mazhorancës për tre vitet e ardhshme.

Për të treguar forcën politike nëpërmjet performancës në Pallatin e Kongreseve, punimet e Kongresit do të vijojnë deri në orën 15:00, ku Edi Rama do të bindë të anëtarët e tij që opozita e mazhorancës janë vetë socialistët.

Dhe për t’u dhënë një shembull rinovimi të strukturave të saj, kryesocialisti do të çojë 61 degët e bashkisë, me në krye të komanduarin e Tiranës, Erion Veliaj në një proces zgjedhor.

Deri me 15 qershor 61 të shkarkuarit do të duhet të bindin Ramën për të marrë sërish besimin e tij që të drejtojnë këtë forcë politike. Por përveç kësaj do të sanksionohet në statut që çdo kryetar i PS, duke përjashtuar drejtuesin e selisë rozë, do ta humbë postin e tij në rast se PS nuk del fitues në zgjedhjet vendore në bashkitë që drejtojnë.

Ndërsa për të administruar zyrat e socialiste, Rama ka menduar të shtojë me ndryshim në statut edhe 61 sekretarë ekzekutiv.

Për zgjedhjet vendore të 2023 Rama do t’u kërkojë  anëtarëve të PS që të ndezin motorët e fushatës, ndërsa për Presidentin e ri, deputetët do të duhen që deri në fund të javës tjetër të dorëzojnë zarfet me propozimet e tyre, se kush do të zëvendësojë Ilir Metën pas 24 korrikut.

Sipas burimeve, socialistët janë përqendruar tek figurat akademike, diplomatike dhe të individëve që kanë një kontribut të gjatë në këtë forcë politike.

Pavarësisht se Rama i ka votat për ta zgjedhur vetë Kreun e Shtetit me 71 vota,  kryeministri ka mandatuar 3 socialistë për të zhvilluar negociata me opozitën për të treguar të paktën publikisht që mahzoranca po e kalon këtë çështje nëpërmjet procedurave demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat