Raporti KPP-së: Bashkia e Tiranës, rekord për numrin më të lartë të ankimimeve për tenderat

Tirana

Raporti KPP-së: Bashkia e Tiranës, rekord për numrin më të lartë të ankimimeve për tenderat

Më: 23 prill 2022 Në ora: 22:00
Foto ilustrim

Bashkia e Tiranës vijon të mbajë rekordin për numrin më të lartë të ankimimeve për tenderat e zhvilluar. Nga 768 raste të denoncuara gjatë vitit të kaluar, 501 janë në Bashkinë e Tiranës. Të dhënat e raportit vjetor tregojnë gjithashtu se pavarësisht se janë publikuar më pak procedura se viti paraardhës, numri i ankesave është më i madh.

Bashkia e Tiranës është më problematikja në kryerjen e procedurave tenderuese. Kjo konfirmohet nga raporti vjetor i Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2021.

Referuar të dhënave, në total janë 768 ankesa të paraqitura pranë këtij institucioni për vitin e shkuar, nga të cilat 501 janë vetëm në Bashkinë e Tiranës.

Komisioni raporton se nga 5 079 tendera të realizuara gjatë 2021, për 566 prej tyre me vlerë rreth 112 milionë euro janë paraqitur ankesa. Më tej thuhet se megjithëse gjatë vitit 2021 janë publikuar 1 361 procedura prokurimi më pak se në vitin 2020, janë 27 ankesa më shumë.

Nga 768 rastet e denoncuara në KPP, vetëm 6 janë për procedura ankandi, lejet minerare dhe në fushën e mbrojtjes, pjesa tjetër lidhet me procedura të prokurimit publik.

Sa i përket fazës se kur janë paraqitur ankesat, shihet se 38.8% e denoncimeve lidhen me specifikimet teknike në dokumentet e tenderit dhe rreth 61.2 % e tyre janë gjatë vlerësimit të ofertave.

Ndërkohë, më shumë se gjysma e tyre lidhen me procedura që kanë në objekt të tyre sigurim mallrash, ndërsa në vendin e dytë janë ankesat për shërbime dhe më pas vijnë ato për punë publike.

Nga numri total i ankesave të paraqitura në KPP, janë pranuar 327 dhe nuk janë pranuar 343, ndërkohë që nga 676 vendimet e marra, vetëm 53 janë ankimuar në gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat