Kopshti Zoologjik hapet më 1 Qershor, Veliaj: I rikthyem qytetit një hapësirë cilësore

Tirana

Kopshti Zoologjik hapet më 1 Qershor, Veliaj: I rikthyem qytetit një hapësirë cilësore

Më: 24 prill 2022 Në ora: 14:48
Foto ilustrimKopshti Zoologjik

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me një grup fëmijësh, inspektoi punimet që janë në fazën përfundimtare, për të mirëpritur më pas kafshët. Veliaj siguroi se Kopshti i ri Zoologjik do të jetë më moderni në Ballkan, pas lirimit të hapësirave të zaptuara.

“Mezi pres që në datën 1 qershor fëmijët të kenë këtu jo vetëm një mundësi për t’u njohur me kafshët, jo vetëm një mundësi për të kaluar një ditë shumë cilësore me familjen, por edhe një mundësi të shkëlqyer për të mësuar. Është ndoshta Kopshti Zoologjik më modern në Ballkan, i rikonceptuar plotesisht. Janë liruar hapësira nga zaptimi, ka më shumë hapësirë për kafshët. Ato kafazet e ngushta nuk ekzistojnë më, pra realisht ka një trajtim shumë më njerëzor sesa ato skenat që ne mbajmë mend nga Kopshti Zoologjik që trashëguam”, tha  ai.

Veliaj nënvizoi se Kopshti Zoologjik i Tiranës është kthyer në një hapësirë për të gjitha grupmoshat, ku janë mbjellë edhe 1200 pemë. “Kush prodhon histeri kur zhvendoset një pemë, thjesht duhet të qetësohet. Vërtet zhvendoset një, por mbillen 1200 të tjera. Unë them se duhet te mbaroje koha kur të gjithë bëjnë gjithologun. Secili te beje punën e tij dhe të lëmë profesionistët të bëjnë punë të mrekullueshme, si ajo punë që është bërë këtu. Jo çdo gjë që kemi bere në Tiranë është për notën 10 sepse ka ende shumë gjëra që duhen përmirësuar. Por si përmirësohen? Duke bërë llogje, duke sharë njëri-tjetrin, duke penguar ata që punojnë apo i përmirësojmë duke vënë çdo dite nga një tullë, duke mbjellë nga një pemë, duke rregulluar diçka, që Tirana që lëmë të jetë shumë herë me e mirë se ajo që gjetëm?”, tha kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku u shpreh se faza e dytë do të pasohet me lidhjen e Kopshtit Zoologjik dhe atij Botanik, ndërsa u bëri thirrje pedagogëve dhe stafit drejtues të Fakultetit të Shkencave që të mos përziejnë politikën në çdo lloj vendimmarrje. “Sigurisht, kjo është vetëm faza e parë, pasi faza e dytë është lidhja me Kopshtin Botanik. Do doja t’i ftoja edhe pedagogët e Shkencave të Natyrës të vijnë ta shikojnë vetë se çfarë kemi bërë këtu, për të kuptuar se të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me Kopshtin Botanik. Ky Kopesht Zoologjik është dita me natën me çfare kishim; dita me natën do te jetë edhe kopshti i ri Botanik. Por, në qoftë se përziejmë politikën në çdo lloj vendimmarrje, dhe politika futet edhe në rektorat, edhe në dekanate, dhe pengon çdo gjë që është e mirë për publikun, ne thjesht humbasim kohë, se e mira do vijë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi edhe ata që kanë qenë skeptik në fillim për të parë transformimin te Kopshti Zoologjik, duke i garantuar se e njëjta cilësi e lartë pune do të bëhet edhe për Kopshtin Botanik. “Ftesa për këdo që është skeptik, apo për këdo që, qoftë për çështje politike, apo çështje fushate, është përzierë në beteja kundër qytetit, të vijë ta shikojë vetë dhe të kuptojë se të njëjtën mrekulli mund ta bëjmë edhe në Kopshtin Botanik nëse i mbarojmë ato gjyqe, dhe ato zënka fare pa sens, që i humbasin shumë kohë qytetit. Ftesa është për bashkëpunim, që ky zhvillim dhe transformim qe shohim ketu, të behet edhe te Kopshti Botanik. Nuk ka asnjë arsye pse të jetë një vatër për fotografi nusesh me 5 mijë lekëshin e rojës. Ajo mund të jetë një hapësirë fantastike për gjithë qytetin”, theksoi Veliaj.

Vizita në Kopshtin Zoologjik do të jetë një aktivitet që zgjat përgjatë gjithë ditës, ku përfshihen zona pikniku përgjatë itinerareve të lëvizjes, hapësira të gjelbra të lira nga strukturat dhe të veçuara për familjarë e fëmijë. Krahas këtyre, në kopsht janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë sa më të pasur eksperiencën për fëmijët dhe prindërit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat