Fabrike armësh në Tiranë, arrestohen dy persona në shtëpinë ku modifikoheshin armët

Tirana

Fabrike armësh në Tiranë, arrestohen dy persona në shtëpinë ku modifikoheshin armët

Më: 16 qershor 2022 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Në oborrin e banesës që ndodhet pas krahëve të mi Policia e Tiranës zbuloi një punishte që modifikonte armët e zjarrit, të cilat dyshohej se silleshin këtu nga persona me të shkuar kriminale.

Në këtë punishte policia gjeti duke punuar Ervis Bakallin dhe Dorian Kolën të cilët u arrestuan në flagrancë.

Punishtja ishte ndërtuar në  rrugën SHaqir shima në Kodër Mëzez, në banesën e 30 vjeçarit Elvis Bakalli i cili jetonte në banesën 3 katëshe së bashku me prindërit e tij.

Ndërsa i arrestuari tjetër 45 vjeçari Dorian Kalo vinte herë pas here kur i duhej të punonte në torno armët e zjarrit.

“Gjatë kontrollit të ambienteve të punishtes dhe ambientit përpara rrethimit të banesës së shtetasit Ervis Bakalli, ku ishte i parkuar dhe automjeti në përdorim nga ky shtetas, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 8 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 armë zjarri automatike, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, silenciatorë, pjesë të ndyshme armësh.”– tha drejtori i Policisë Lorenc Paganika.

Aksesorët dyshohet se janë sjellë nga jashtë vendit dhe pasi armët përpunoheshin ato bliheshin nga persona me precedent të theksuar kriminal, anëtarë të grupeve kriminale, me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale kundër personit.

Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

45 vjeçari  Dorian Kalos nuk ishte i panjohur për policinë. Në prill të vitit 2021, Enver Jamaku, një vrasës me pagesë i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, përmendi Dorian Kalon si një nga personat që kishte bazë për modifikimin e armëve të llojeve të ndryshme, duke i riparuar dhe duke i ndërruar pjesët.

Enver Jamaku u arrestua pas tentativës së dështuar për të ekzekutuar me shpërthim tritoli në makinë, Gjon Menën në Kamëz, që dyshohet se u porosity nga Gjergj Cukali kundrejt  shumës 30 mijë eurove, akuza të cilat Cukali i ka mohuar. Dëshmia e Jamakut çoi disa persona në pranga dhe zbuloi 19 baza armatimi në Tiranë.

Zona e Kodër–Mëzezit dhe Yzberishit është përdorur dhe më herët nga grupet kriminale për të fshehur armët e zjarrit.

Në 2018 policia e Tiranës në këtë zonë gjeti një arsenal armësh që dyshohej se i përkiste Aurel Hoxhallarit i cili u shpall në kërkim ndërsa 4 të tjerë u arrestuan. Një operacion i ngjashëm u krye dhe në 2020 në Yzberish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat