Veliaj tregon projektet për Tiranën, merr pjesë në aktivitetet sportive në parkun e liqenit të Farkës

Tirana

Veliaj tregon projektet për Tiranën, merr pjesë në aktivitetet sportive në parkun e liqenit të Farkës

Më: 6 maj 2023 Në ora: 15:13
Tirana

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishite i pranishëm në aktivitetet sportive të organizuara te parku i liqenit të Farkës.

“Dua t’ju informoj se Parku i Liqenit të Farkës, është vetëm një nga investimet e këtij viti. Ne duam të vazhdojmë me disa investime të tjera, bashkë me qeverinë, dhe prandaj është e rëndësishme që të punojmë me qeverinë. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë te stadiumi “Selman Stërmasi”, siç kemi bërë tek “Arena Kombëtare”. Investimi tjetër do të jetë Pallati i ri i Sportit “Asllan Rusi”. Unë besoj se sporti na mëson më shumë karakterin, na forcon më shumë”, tha ai.

Për të realizuar këto investime, Veliaj tha se qytetarët duhet të votojnë Partinë Socialiste.

 “Në këto 7 ditë, nëse secili prej nesh njeh 7 vetë që nuk mendojnë si ne, duhet të flasim me ta, t’i shohim në sy dhe t’u themi: Kur e mbjellim këtë pemë, a iu shërben edhe të majtëve, edhe të djathtëve? Kur e pastrojmë këtë ujë, a i shërben edhe të majtëve dhe të djathtëve? Kur i bëjmë këto lodrat, a luajnë edhe fëmijët e të majtëve dhe fëmijët e të djathtëve? Kur e bëjmë këtë shkollë, këtë kopsht, këtë çerdhe, këtë rrugë, këtë autostradë, këtë treg agroushqimor, këtë pallat të sportit, këtë unazën e madhe, nëse i shërben të gjithëve, atëherë bashkohuni me ne, sepse familja është partia më e rëndësishme. E nëse familja jote, falë kësaj pune, është duke ecur më mirë, vlera e pronës është rritur, pastërtia është rritur, ndriçimi është rritur, aktivitetet janë rritur, atëherë të vazhdojmë të rritemi dhe të ecim vetëm përpara”, shtoi Veliaj.

Veliaj tha se javën e ardhshme do të hapet tregu agroushqimor i Farkës, i pari treg publik në Tiranë.

“Javën tjetër hapim tregun agroushqimor. Më në fund e thyejmë monopolin e privatit, ku praktikisht 70% e kostos ishte fitimi që fuste në xhep privati. E kemi bashkëfinancuar me Fridën, prandaj është e rëndësishme që mos të bëjmë luftë me qeverinë. Ne duam paqe dhe bashkëpunim me qeverinë, ndaj mezi pres të shohim rezultatet e tregut. Bashkia dhe qeveria ka interes që edhe fermeri ynë nga Baldushku, nga Mulleti, nga Iba, nga Vaqarri, nga Arbana, Ndroqi e Peza, e gjithë lugina e Erzenit, të ketë një treg ku ti futesh pa haraçin që duhet paguar te privati dhe qytetarët e Tiranës ta shtrojnë tavolinën me fruta dhe perime që kushtojnë më pak dhe janë më lirë falë këtij bashkëpunimi të Qeverisë dhe të Bashkisë”, theksoi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat