​Këlliçi: Qytetarët kanë në dorë fatet e Tiranës

Tirana

​Këlliçi: Qytetarët kanë në dorë fatet e Tiranës

Më: 14 maj 2023 Në ora: 09:47
Belind Këlliçi

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka votuar në shkollën “Dora d’Istria” në orën 08:30.

I shoqëruar nga familja e tij, ai ftoi të gjithë qytetarët që të dalin dhe të votojnë masivisht.

Këlliçi: Qytetarët kanë në dorë fatet e këtij qyteti

“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë sot në qendrat e tyre të votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetar për të votuar. Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjithë ata mijëra e mijëra qytetarë që në këto 5 muaj kam takuar duke shtrënguar duart, duke i parë në sy dhe duke folur për ndryshimin. Sot është dita e madhe, sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë të gjithë, është dita kur kemi në dorë fatet e këtij qyteti dhe ndryshimin e keni vetë në duar”, tha Këlliçi.

Këlliçi, duke iu drejtuar të rinjve, tha se largimi nuk është zgjidhje prandaj duhet të dalin dhe të votojnë për të rikthyer shpresën.

Deri në momentin kur votoi, Këllici tha se nuk kanë hasur në parregullsi përpos disa problemeve teknike.

Këlliçi: Procesi është duke shkuar normalisht

“Deri tani përpos disa gjërave të vogla teknike, procesi është duke shkuar normalisht. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni votoni masivisht. Sot është një ditë feste. Sot është dita e dita e ndryshimit, dilni dhe votoni”, tha ai.

Beteja kryesore e këtyre zgjedhjeve padyshim do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku garojnë gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat