Veliaj: Mbajmë premtimin për 12 kënde lojërash brenda vitit

Tirana

Veliaj: Mbajmë premtimin për 12 kënde lojërash brenda vitit

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 12:38
Erion Veliaj

Nisin punimet për ndërtimin e këndit të lojërave dhe fushave sportive në Njësinë 7.

Fëmijët e Njësisë Administrative nr. 7 në kryeqytet do të kenë shumë shpejt hapësirën e tyre të argëtimit. Bashkia e Tiranës, në përmbushje të premtimit për të ndërtuar 12 kënde lojërash, ka nisur punën për ndërtimin e këndit të tetë të lojërave për fëmijë dhe ambiente sportive për më të rriturit në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.

Fillimin e punimeve për këto hapësira të reja çlodhëse për banorët e zonës u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo është një tjetër dëshmi e vendosmërisë për të punuar për të fëmijët.

“Më vjen mirë që fillojmë këndin e tetë të lodrave në qytetin e Tiranës. Ka qenë një vit fantastik, pasi debatet për këndin e madh të lodrave i hapën rrugë ndërtimit të këndit të lodrave në çdo lagje, duke mirëkuptuar që jo të gjithë qytetarët mund të shkojnë te Liqeni, sepse 90% të kohës e kalojnë në xhepa të tillë, mes pallateve, mes komunitetit, në lagjet e tyre”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se fakti që gjatë këtij viti të parë fokusi ka qenë i gjithë te fëmijët, tregon edhe një herë se punët në Tiranë nuk bëhen për efekte elektorale, por për t’i shërbyer gjeneratës tjetër, e cila sot nuk është e angazhuar në politikë.

“Ky ka qenë absolutisht një vit i fokusuar te fëmijët, me çerdhet, kopshtet, shkollat, apo terrenet sportive dhe sidomos te fëmijët me më shumë kënde lojërash. Nuk jemi të interesuar për zgjedhjet e ardhshme, sa jemi të interesuar te gjenerata e ardhshme. Në një qytet me një milionë banorë, ku 300 mijë janë fëmijë, çdo investim në rritje të fëmijëve të mirë, do të thotë një investim në rritje të një Tirane me qytetarë të mirë nesër”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se deri në fund të këtij viti të 12 këndet e lodrave nëpër lagjet e Tiranës do të jenë gati për fëmijët, kjo edhe si një mënyrë që ata të rriten të shëndetshëm.

“Më vjen mirë që në fund të vitit do t’i kemi përfunduar të 12 këndet e lodrave nëpër lagje, që i shtohen këndit te Liqeni i Tiranës. Është një mënyrë fantastike se si fëmijët, sidomos më të vegjlit, kanë një hapësirë për të luajtur jashtë, në natyrë; është një mënyrë sesi ne luftojmë obezitetin, se si rrisim aftësitë sociale dhe fizike te fëmijët, dhe si përgatisim një brez të ri qytetarësh që mësohet të bashkëjetojë me të tjerët, të respektojë hapësirën e tjetrit, të respektojë të gjitha rregullat e komunitetit”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se veç punës së bërë për ndërtimin e këndeve, ashtu siç po bëhet me rrugët dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me infrastrukturën, është e nevojshme bashkëpunimi i banorëve për t’i ruajtur ato nga dëmtimi.

“I kërkoj banorëve të na ndihmojnë teksa bëjmë këto “operacione”; do na duhet të lirojmë hapësira të zaptuara. Është shumë e rëndësishme të kemi bashkëpunim; e di që në 4 vitet e fundit shumë kode qytetare kanë degjeneruar në Tiranë, megjithatë t’i rikthehemi këtyre kodeve dhe këtyre rregullave qytetare, si e vetmja mënyrë që na garanton një bashkëjetesë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e pranishme në nisjen e punimeve, falenderuar Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që ka treguar gjatë këtij viti me investimet në Njësinë 7.

“Këtu ka edhe shumë të moshuar, e cila prej 4 vitesh ankohet rregullisht për të pasur një kënd për t’u çlodhur, për të shoqëruar fëmijët; mua më vjen mirë dhe u bashkohem me urimet. Kjo është një zonë, e cila është rritur në këto vite dhe i ka munguar ky mjedis i kulturuar”, tha Hysi.

Sipërfaqja totale e këndit të lojërave është 1100 m2 dhe veç lodrave ai do të ketë edhe një fushë volejbolli, fushë futbolli, pemë dekorative, shtylla ndriçimi të reja etj.

Për ndërtimin e këndit po përdoren materiale të certifikuara sipas standardeve të BE-së, për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë dhe për të mos veçuar qendrën nga periferia në ofrimin e shërbimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat