Votimi nga emigrantët, Veliaj: Kemi propozuar të kryhet në ambasada, jemi në diskutime

Tirana

Votimi nga emigrantët, Veliaj: Kemi propozuar të kryhet në ambasada, jemi në diskutime

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 12:25
Samiti i Diasporës

Gjatë diskutimeve në samitin e Diasporës që po mbahet në Tiranë, Kryebashkiaku Erion Veliaj iu përgjigj edhe pyetjeve nga salla në lidhje me votën e emigrantëve.

Duke shprehur gatishmërinë për të pranuar votimin e emigrantëve, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se e majta ka bërë disa propozime në lidhje me këtë çështje  për t’u garantuar emigrantëve shqiptar një të drejtë. 

“Ne kemi bërë disa propozime. Propozimi i parë është që procesin e votimit ta bëjmë në ambasadë. E kemi bërë këtë propozim edhe në opozitë, edhe në qeveri, pra pavarësisht ku kemi qenë ne politikisht, është rrëzuar. Propozimi i dytë, që të bëhet me postë. Kjo do të thotë që ti vetëidentifikohesh me premtimet, me verifikimet. Vjen me një zarf fleta e votimit ku brenda ke edhe një zarf të parapaguar që ta kthesh mbrapsht, por sërish është refuzuar. Kemi bërë dhe një ofertë të tretë për votimin elektronik”, tha ai. 

 Veliaj u shpreh se për cilëndo prej varianteve që grupimi tjetër politik ose minoranca sot në parlament është gati ta votojë, shumica aktuale është gati që nesër ta marrë parasysh. 

 “Ne nuk kemi sot mundësitë që të ndryshojmë fletën e votimit në një komision bipartizan kur gjysma e politikës shqiptare prej paranojës ose prej faktit që mendon çdo të kishte bërë vetë në situata të tilla, nuk e jep. Por nuk jam këtu që të bëj politikë, por ju them se e kemi platformën. Na ndihmoni siç loboni në Amerikë duke ju shkruar kongresmenëve, një letër t’ua shkruani edhe deputetëve shqiptarë, atyre që nuk janë prononcuar. Më rezulton që kryeministri është prononcuar disa herë. Thashë që jemi gati që nesër”, theksoi Veliaj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat