Veliaj: Gjatë festave të gjitha ndërmarrjet e bashkisë në gatishmëri

Tirana

Veliaj: Gjatë festave të gjitha ndërmarrjet e bashkisë në gatishmëri

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 21:18
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Qindra qytetarë të Tiranës i janë bashkuar sot koncertit festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e Krishtlindjeve. Artistë të njohur shqiptarë, si Kastriot Tusha, Marjana Leka, Armando Kllogjeri, formacioni Fatos Qerimaj, Banda e Tiranës, por edhe kori i fëmijëve, si dhe orkestra dhe kori i Liceut Artistik, për më shumë se dy orë kanë performuar këngë dhe pjesë të zgjedhura jo vetëm shqiptare, por edhe me famë botërore.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përcolli urimin e tij për të gjithë besimtarët që festojnë Krishtlindjet, ndërsa theksoi se ato janë një ngjarje që tregojnë se çdo njeri me mënyrën e tij mund të përmiresojë botën ku jetojmë.

“Gëzuar festën! Paçi mbarësi dhe qoftë një vit i mbrarë për të gjithë shqiptarët. Festa e Krishtlindjes është festa kur kujtojmë një djalë të vogël, i cili lindi në një familje të madhe, në kushte shumë të vështira, por që ndryshoi gjithë botën. Unë shpresoj që pavarësisht kushteve që kanë shumë njerëz sot në Tiranë, secili prej nesh ka potencial të ndryshojë lagjen e vet, shkollën e vet., pallatin e vet, qytetin e vet, vendin e vet, Shqipërinë”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë e cilësoi 2016 si një vit të mbarë për Tiranën, pasi falë punës së përditshme ajo ka nisur të traformohet.

“Ky ka qenë një vit fantastik për Tiranën. Morëm një qytet, i cili ishte harruar prej kohës, ishte përgjumur. Sot është një kantier ndërtimi në çdo cep. Kemi rreth 100 kantiere në Tiranë. Vitin tjetër do të jetë një vit më i mbarë sepse shumë prej këtyre punëve do të kenë mbaruar. Shumë veta kanë marrë dhurata ose do të marrin dhurata javën që vjen. Ndërkohë që unë e kam pasur një dhuratë këtë vit dhe ka qenë dhurata për t’i shërbyer qytetit më të bukur në botë dhe ju falenderoj me gjithë zemër që më keni dhënë këtë dhuratë, këtë mundësi dhe këtë shans të bekuar”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se Tirana ka mundësinë qe, ashtu siç edhe është treguar solidare në këto ditë festash, të tregohet e tillë për gjatë gjithë vitit, për t'i ardhur në ndihmë atyre që janë më të dobët apo që janë në gjendje ekonomike më të dobët.

“Mezi pres që të gjithë bashkë, këtë solidaritet që kemi treguar gjatë muajit të dhjetorit, ta vazhdojmë gjithë vitin. Fakti që mund të ndihmojmë njerëz në dhjetor, do të thotë se e paskemi potencialin për të ndihmuar, atëherë pse ta bëjmë vetëm në dhjetor? Hajde ta bëjmë gjithë vitin! Nëse kemi mundësinë dhe kemi treguar që mund ta mbajmë Tiranën pastër për ditët e festave, do të thotë që e paskemi potencialin për të qenë qytetarë të pastër, ta mbajmë gjithë vitin Tiranën të pastër! Në qoftë se kemi qenë më të dashur, kemi qenë më paqësorë, kemi qenë më mirëkuptues, kemi qenë më dashamirës me njeri - tjetrin gjatë këtij muaji të festave, do të thotë që paskemi potencialin të jemi kështu gjithë vitin. Jemi një qytet që bashkëpunon për mirë, jemi një qytet ku tregojmë dashuri për njeri tjetrin, ta ulim pak vulgaritetin, sherrin, dramën, helmet që i hedhim çdo ditë njeri -tjetrit!”, shtoi Veliaj. Ai gjithashtu premtoi se edhe 2017 do jetë një vit pune dhe solidariteti për ta bërë qytetin më të mirë.

“Tirana është qyteti më i mirë jo vetëm në Shqipëri, është pa dyshim qyteti më i mirë në botë, se ka njerëzit më të mirë, ndaj ju ftoj të gjithëve që për gjithë vitin tjetër, siç kemi pasur një dhjetor fantastik solidariteti, të kemi gjithë vitin 2017, një vit pune, dashurie dhe solidariteti për njeri - tjetrin!”, shtoi Veliaj. 

Kryetari i Bashkisë tha se gjatë këtyre ditëve festive të gjitha ndërmarrjet e Bashkisë do jenë në gatishmëri për t'iu përgjigjur çdo emergjence.

“Dua të garantoj qytetarët e Tiranës që Bashkia do të jetë në gatishmëri të plotë gjatë festave, ku edhe trafiku, edhe qarkullimi, edhe shumë prej nevojave për zjarrfikëse, për policinë bashkiake, i gjithë pastrimi i Bashkisë do të punojë 24 orë, jo vetëm në turnin e tretë, për t'u siguruar që kemi festa të gëzuara të gjithë!”, mbylli përshëndetjen e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat