Dhurata për fëmijët e kryeqytetit në këtë fundviti

Tirana

Dhurata për fëmijët e kryeqytetit në këtë fundviti

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 18:28
Fëmijët e kryeqytetit

Si një dhuratë e bukur fundviti për fëmijët e kryeqytetit, çeli dyert sot Qendra e re Kombëtare Kulturore për fëmijë, një hapësirë krejt moderne, plot gjallëri dhe ngjyra, e tjetërsuar dhe e konceptuar enkas për artistët e vegjël.

Shtëpia e re e artit, investim prej 65 milion lekësh rilindi në ngrehinën e vjetër, aspak funksionale, me kushte tejet të papërshtatshme, e cila u rikonstruktua tërësisht dhe u shndërrua në mjedise plot fantazi, ku fëmijët mësojnë dhe argëtohen.

Kryeministri Edi Rama ishte në Qendrën e re për të parë nga afër hapësirat ku fëmijët zhvillojnë çdo javë kurset jashtëshkollore të profilizuara në degët e arteve figurative, skenike e muzikore. Ai vizitoi klasat e muzikës, pianos, këngës, baletit, pikturës skulpturës dhe aktrimit.

Rama premtoi se qendra të tilla do të shtrihen në të gjithë vendin, duke formuar një rrjet kombëtar qendrash formimi artistik dhe argëtimi. “ Jam shumë i gëzuar që sot shikoj të realizuar këtë dëshirë për të krijuar një qendër të vërtetë formimi artistik dhe argëtimi për fëmijët. Jo të gjithë nesër do të vendosin të bëhen artistë, por në këtë rrugë duke marrë edhe këtë ushqim të veçantë shpirtëror dhe estetik, patjetër çfarëdo që të bëheni nesër do të jeni me siguri më të pasur në botën tuaj të imagjinatës, të mendimeve, të shikimit, të dëgjimit, të të folurit. E për këtë arsye ne duam që këtë mundësi të re që i krijohet fëmijëve këtu në Tiranë ta bëjmë të mundur edhe në qytetet e tjera”, u shpreh ai.

Ai bëri të ditur ndërtimin e një qendre të madhe dhe shumë moderne fëmijësh në Korçë. ” Kemi një tjetër projekt në Berat në bashkëpunim me drejtuesit e bashkive të qyteteve të tjera, po kërkojmë të nxisim këtë proces për të pasur një rrjet të tërë kombëtar, ku fëmijët që kanë dëshirë të hyjnë në këtë labirint magjik të tingujve, të ngjyrave, të fjalës, të mund ta kenë të mundur dhe padyshim për të lehtësuar dhe mbështetur edhe prindërit që kanë nevojë që krahas përpjekjeve të tyre në muret e shtëpisë, të kenë edhe hapësira të tjera ku të mund t’i japin fëmijëve të tyre mundësinë që të socializohen me bashkëmoshatarë, të dëgjojnë mësues që mund t’i udhëheqin me kujdes për të marrë sa më shumë nga ky ushqim i posaçëm shpirtëror”, tha Kryeministri.

E pranishme, ministrja e Kulturës Kumbaro vlerësoi se ajo që përfitojnë artistët e vegjël nuk është vetëm një ndërtesë, por një program i mirëfilltë edukues përmes artit dhe kulturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat