Piramida në Tiranë, debatet e politikës dhe vendimi për ta transformuar atë

Tirana

Piramida në Tiranë, debatet e politikës dhe vendimi për ta transformuar atë

Më: 2 janar 2017 Në ora: 16:09
Piramida në Tiranë, foto arkiv

Kjo është Piramida. E ndërtuar si Muze për të kujtuar kujtuar ish-diktatorin Enver Hoxha, por që në 26 vitet e fundit, ka shërbyer as më shumë e as më pak si një mollë sherri në politikë.

Vdekja e Hoxhës nuk ishte thjeshtë momenti i largimit nga jeta të një diktatori, por një shqetësim më shumë i mbështetësve të tij për të gjetur mënyra se si dhe ku ta përkujtonin atë.

Projekti ju besua arkitektit Klement Kolaneci, dhëndrrit të ish-diktatorit, i cili ngriti një grup projektimi të përbërë nga Pranvera Hoxha, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu.

Ata zgjodhën vendin dhe modelin aktual të një piramide, si modelin më të përshtatshëm për funksionin e një Muzeu. Piramida u inaugurua në tetor të vitit 1988.

Ka pasur aludime nga më të ndryshmet rreth përmbajtjes së saj. Shumë zëra bërtisnin se aty ishte varri i Enver Hoxhës, por koha tregoi që nuk ishte i tillë.

Gjithësesi, vitet kaluan por ato që nuk u kapërcyen dot ishin përpjekjet përmes projekteve se si ta zhdukin këtë ndërtesë.

Në vitin 2010, qeveria e asaj kohe vendosi që në vendin ku sot ndodhet Piramida, të ndërtohet Parlamenti i ri i Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Kaq mjaftoi për të ndezur debatin e radhës mes kryeministrit të asaj kohe Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama.

Berisha: Konkursi do të jetë ndërkombëtar. Urdhro bëju pjesë e këtij bashkëpunimi, ndaj je këtu. 100 vjetori do të festohet, por të pyes unë tani se ku do ta ndërtoj atë në një kohë kur varri hesht. Jo zotëri do të prishim varrin, ai është aty ku është, nuk ka kocka. Nuk mund të lëmë varrin e diktatorit në qendër të kryeqytetit.

Rama: Kjo shembje godine nuk ka lidhje fare as me 100 vjetorin e pavarësisë, as me parlamentin dhe as me gjithë sa thuhet, por ka lidhje me një domosdoshmëri të brendshme. Nuk ju nderon ju as si Kryeministër, as për aq intelektual sa jeni.Ju nuk jeni Zoti i këtij vendi, ju nuk jeni Kushtetuta dhe ligji në këtë vend. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, meqë e keni refren dhe ju pëlqen ta përdorni, që ju ndalon ju të merrni vendime për të prishur çfarëdo qoftë në këtë qytet dhe ndarkon në mënyrë eksplicite pushtetin vendor për të marrë vendime të tilla.

Ky vendim për prishjen e Piramidës provokoi reagimin e arkitektëve, dhe jo vetëm. Maksim Mitrojorgji, arkitekt, vijon ta cilësojë të gabuar atë vendim.

Mitrojorgji: Ngritëm zërin si shoqatë arkitektësh dhe këtu specialistët pavarësisht se të kujt krahu ishin, u shprehën që të gjithë që ajo vepër duhet ruajtur. U shprehën jo vetëm brezat e rinj por dhe arkitektë të vjetër të cilët arriten të shkëputen nga shumë paragjykime dhe politizimi i këtij problemi në funksion të asaj që ajo si vepër duhet ruajtur.

Duke hequr paralele, Mitrojorgji deklaron se diktatura nuk prishi asnjë ngo objektet e ndërtuara nga Italia fashiste, përkundrazi, u dha funksione të reja.

Mitrojorgji: Në kohën e diktaturës dhe aq më tepër kur ne ishim shumë nën ndikimin e kulturës ruse në vitet e para pas çlirimit ne i rezistuam shumë mirë këtij presioni duke ruajtur objekte të ndërtuara dhe në kohën e ialianëve. I rezistuam kësaj duke mos ndërtuar objekte neoklasike, ose ndëruar shumë pak. Ne e shohim sot që po përsërisim ca dekore dhe ca gjëra fare kot, disa objekte që bëhen thjesht për nostalgji.Nostalgjia nuk ka vend.

Ndërsa vetë arkitekti i këti objekti, Klement Kolaneci, në një intervistë për Ora News, që mban datën 11 tetor të 2014, e quante tentativë për tjetërsim të historisë.

Kolaneci: Është një tentativë naive për tjetërsim të historinë. Nuk bëhet kështu. Nuk tjetërsohet historia. Ne kemi të drejtë ta kuptojmë, të shkojmë në harmoni me kërkesat e kohës, por nuk mund ta tjetërsojmë. Kur kthehet në identitet sheshi “Nënë Tereza” dhe në të njëjtën kohë , paralelisht, Ministria e Kulturës që përfaqëson kulturën, 500 metra më tutje lejon të organizohen konkurse me këtë llogjikë, nuk ka kuptim. Unë nuk arrijë ta lidh mendimin në aspektin e llogjikës së përdorur.

Mbajtja gjallë e kësaj vepre, sipas Gjergj Bojaxhi, shërben si një leksion i mirë për të mësuar nga e kaluara, e cila sipas tij nuk mësohet duke shkatërruar edhe atëherë kur ajo që është në shënjestër ka simbol të një të shkuare të errët.

Bojaxhi: Nuk mësojmë nga historia duke e shuar por duke mësuar. Piramida padyshim që është simbol i regjimit komunist por dhe dështimit të kësaj klase të re politike gjatë këtyre 25 viteve. Këtu mund të bëhen shumë gjëra, mund të bëhet një parlament i ri, çdo gjë, por kjo nuk do të thotë që Piramida duhet prishur. Piramida duhet të qëndrojë për na kujtuar të kaluarën tonë dhe të përdoret për të mësuar nga e kaluara për të ndërtuar një të ardhme të re më të mirë.

Ajo çfarë ka ndodhur me Piramidën në këto vite, nuk i shkon aspak përshtat një Monumenti Kulture. Madje, sipas Gjergj Bojaxhi, ajo ngjan njësoj si me shqiptarët, e harruar dhe e braktisur nga politika.

Bojaxhi: Piramida i ngjan shumë fatit të shqiptarëve gjatë këtyre 25 viteve, e neglizhuar, e tallur. Ka pasur dhe tentativa për ta rrëzuar dhe shkatërruar. Sot Piramida ne na kujton qoftë dështimin e sistemit komunist, qoftë dështimin e kësaj klase politike që nuk ka mundur të ndërtojë një sistem vlerash dhe të ndërtojë një përdorim dhe funksion të ri të këtij ambienti për qytetarët.

Mitrojorgji: Ndër vite, aq më tepër në përiudhën e sotme kur ndjesia që ka njerëzimi ndaj trashëgimisë është rritur goxha, kanë ndodhur shumë mënyra të qëndrimit ndaj trashëgimisë që gëzojnë popuj të ndryshëm dhe vende të ndryshme.Trashëgimi e vjetër shumë ose dhe e re. Në këtë kontekst, shumë vepra që projektohen në një periudhë të caktuar historike humbasin funksionin e tyre primar dhe fitojnë funksione të reja. Por gjithësesi jemi në një pikë ku duhet të gjykojmë me shumë kujdes vlerat që ka çdo vepër ose një vepër e veçantë. Vlerat që ka ajo në kontekstin urban të përgjuthshëm të qytetit, ndikimi që ka në mjedisin rreth e rrotull, vlerat arkitektonike, kulturore, pavarësisht se disa vlera shoqërore dhe ideore të saj dalin jashtë kohës. I tillë është dhe rasti i Piramidës. Funksioni për të cilin ajo u ndërtua dhe projektua dihet se cili është. Një Muze për diktatorin për të përjetësuar figurën e tij, gjë e cila në kontekstin e ndryshimeve që ndodhën në vendin tonë ka rënë.

Edhe pse përpjekjet për transformimin e Piramidës nuk kanë munguar, ato sërish kanë mbetur në letër. Ambicioz u duk projekti kinez për rikonstruksionin e saj, por që nuk i shpëtoi kritikëve.

Kolaneci: Kjo është një gjë nuk realizohet. Në qoftë se sillemi kështu me çdo monument kulture, unë nuk e kuptoj pse i quajmë monumente kulture? Duhet të dimë të ruajmë vlerat që i takojnë popullit dhe jo individëve të caktuar. Për mua është një konkurs që vlerat e konkursit dhe projektet që pashë ishin shumë naïve.

Për nga ana arkitekturore, Piramida përbën vlera të pazëvendësueshme në këndvështrimin e arkitektëve dhe si e tillë, këto vlera duhen ruajtur jo si dëshmi e një sistemi të egër.

Sipas arkitektit Mitrojorgji, ka ardhur koha për të parë mundësitë e gjetjes së alternativave se si ky objekt të kthehet në funksione të reja për t’i shërbyer kohës.

Mitrojorgji: Ka vlera të pallogaritshme.Është vepër e rrallë, unikale, me formë arkitektonike shumë të veçantë. Rruga më e drejtë për të përcaktuar një qëndrim ndaj saj është si ajo do ti shërbejë kohës sot duke ruajtur këto vlera.

Së fundmi, Bashkia e Tiranës, ka menduar për t’ja kthyer Piramidën qytetarëve, në kuptimin e rregullimit të saj, krijimin e hapësirave të brendshme për konferenca, spektakle ekspozita, etj.

Veliaj: Ideja e Bashkisë, bashkë me arkitektët e huaj ndërkombëtarë që kanë kontribuar, është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore. Shpresoj që aty të performojnë edhe kampionët e ardhshëm të artit e të kulturës të shkollës “Qemal Stafa” ose fituesit e radhës të “Tirana Art-festit”. Është një lajm i mirë edhe për të gjitha zyshat që merren kryesisht me artin, kulturën dhe promovojnë super talentet që kemi te ‘Qemal Stafa’.

Duket se i këtij mendimi ishte edhe arkitekti Kolaneci, i cili mendonte që Piramida duhet t’ju kthehet te rinjve.

Kolaneci: Për mua do të ishte një ide shumë e bukur që ti kthehej rinisë. Një objekt multifunksional ku mund të ketë bibliotekë, pjesë galerishë, ambientet nën tokë që mund të shfrytëzohen shumë mirë, pra të kthehet në një objekt i gjallë.

Por çfarë do të thotë nëse Piramidës do t’i jepeshin funksione të reja?

Mitrojorgji: Dhënia e funksioneve të reja do ta zbehë simbolikën e fillimit dhe do të qëndrojë në një kontekst ku do të marrë vlera shoqërore të kohës që ne jemi. Sa arrihet kjo teknikisht të thithë dhe mbajë funksione të tjera është gjë që duhet diskutuar.

Sa herë që është diskutuar për projektet për Piramidën, Gjegj Bojaxhi nuk ka nguruar të japë mendimet e tij, duke shprehur edhe ndjeshmërinë ndaj trashëgimisë kulturore.

Rehabilitimi i kësaj ndërtese duhet të kishte ndodhur kohë më parë.

Bojaxhi: Përpjekja për ta reabilituar është tepër e vonuar, duhet të kishte ndodhur kohë më parë. Dhe motivi për ta reklamuar këtë punë nuk vjen nga fakti për të gjetur realisht një simbol të ri për këtë ambjent por nga fakti për të mbuluar dhe kamufkluar faktin që qëndra e Tiranës do të vazhdojë të ketë kulla të reja, ndërtime të reja.

Por, edhe nëse do të ketë ndërhyrje, ajo që mbetet më e rëndësishme, të paktën në optikën e arkitektëve, mbetet ruajtja e identitetit.

Mitrojorgji: Nuk do të shpresoja që do ndërhyhej në arkitekturën e jashtme të objektit dhe brenda duhet të ruajë disa elementë bazë të saj.

Dhe deri sa Piramida të marrë funksione të reja, qytetarët do vijojnë të shkrepin foto në ambientet e jashtme të saj, apo edhe të tjerët që duan ta shohin Tiranën nga lart Piramidës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat