UKT shpenzime luksi, 27.000 Euro në 3 javë për udhëtime në Miami, Vienë dhe Pekin

Tirana

UKT shpenzime luksi, 27.000 Euro në 3 javë për udhëtime në Miami, Vienë dhe Pekin

Më: 15 janar 2017 Në ora: 21:43
Shoqëria e Ujësjellës Kanalizime në Tiranë

Shoqëria e Ujësjellës Kanalizime në Tiranë duket që ka gjetur një mënyrë të re për të shpenzuar paratë e konsumatorëve në Tiranë. Në harkun kohor të 3 javëve, shoqëria e Ujësjellës dhe Kanalizime ka shpallur tre tendera për udhëtime jashtë shtetit, me destinacion në tre kontinente të botës. Shpenzimet totale kanë vlerë 3.600.000 lekë të reja apo rreth 27.000 Euro.

Udhëtimi i parë i prenotuar nga UKT është një udhëtim nga Tirana në Pekin me vlerë 915.000 lekë të reja apo 6,700 euro e shpallur më 27-10-2016. Përveç biletës, në këtë tender janë përfshirë dhe kostot e hotelit në Pekin. Prenotimi i dytë është nga Tirana në Vienë, ku sërish është paguar udhëtimi me avion dhe hoteli në Vienë. Pavarësisht faktit që justifikimi i këtij udhëtimi është një takim në Budapest, fondi për këtë udhëtim në Vienë është 865.000 lekë apo 6.400 euro e shpallur në 31-10-2016.

Udhëtimi i tretë është nga Tirana në Miami me vlerë 1.820.000 lekë të reja apo rreth 13.500 euro që është shpallur me tender më 16-11-2016. Një shumë e majme, nëse marrim parasysh që një biletë nga Tirana në Miami mund të blihet në muajin dhjetor me vlerë prej 600 deri në 800 euro nëse udhëtohet me një biletë ekonomike.

Ajo çfarë bie në sy është që me nje fond limit prej 13.500 euro është e vështirë të kuptohet se si është arritur në këtë shumë nëse marrim parasysh që biletat janë relativisht të lira krahasuar me fondin limit. Por nga shpallja e tenderit nuk bëhet e qartë nëse është udhëtuar me klasin ekonomik dhe një biletë business kushton rreth 3500 euro. Për krahasim, fondi limit i Bashkisë së Tiranës për udhëtime jashtë shtetit në gjithë vitin 2016 është 1.600.000 lekë të reja apo rreth 12.000 euro.

UKT vetëm me udhetimin drejt Miami ka kapërcyer këtë fond limit. Mbetet për të parë se çfarë do të jenë shpenzimet totale për vitin 2016 për UKT, por të paktën në nentor totali ka arritur në 27.000 Euro. Ujësjellës Kanalizime Tiranë është një shoqatë ku aksioneri kryesor është Bashkia e Tiranës, me rreth 83% të aksioneve. Aksionerët e tjerë janë Bashkia e Vorës dhe e Kamzës që ndajnë 17% të aksioneve të mbetura. Misioni i saj kryesor është furnizimi me ujë të pijshëm i qytetarëve në Tiranë dhe mirëmbajtja e linjave të ujit dhe kanalizimeve në zonën e kryeqytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat