Gjuha e rrjeteve sociale, Veliaj: Fajin e kanë shkollat

Tirana

Gjuha e rrjeteve sociale, Veliaj: Fajin e kanë shkollat

Më: 6 shkurt 2017 Në ora: 21:56
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ia vë fajin kushteve të këqija të shkollave ku kanë mësuar, dashurisë së munguar, në lidhje me gjuhën që përdoret në Kuvend apo në rrjetet sociale.

Kështu e shpjegon ai pse fokusi i investimeve që bëri në vitin e parë të mandatit të tij ishte pikërisht infrastruktura për fëmijët edhe pse nuk përkthehen në vota.

“Unë besoj se Tirana kishte nevojë të bënte këtë diferencë edhe një herë të vetme të mos mendonte për zgjedhjet e ardhshme, por të mendojë pak për gjeneratën e ardhshme. Ja keni bërë një herë të vetme pyetjen vetes, kur dëgjoni ata që flasin në parlament, me çfarë vulgariteti flasin, si në rrugë, si në internet? Një përgjigje është se në këto lloj shkollash në vende pa kushte, në vende ku nuk bëhj mësim, në vende ku nuk kishte dashuri”, u shpreh Veliaj.

Në analizën vjetore të ndërmarrjes numër 3, e cila merret kryesisht me rikonstruksionin e shkollave dhe çerdheve, Veliaj preku edhe çështjen e trafikut për të cilin akuzohet shpesh, por ai tha se është përmirësuar për sa kohë furgonët që furnizojnë dyqanet kanë orar të caktuar dhe nuk shikohen më  të qarkullojnë në orar të pikut.

“Çështja e trafikut, në një qytet me 1 milionë banorë që është bërë për 200 mijë, s’ka për t’u zgjidhur ndonjëherë. Pra, nuk do ta kemi kurrë trafikun perfekt, por përmirësimet mendoj se janë si dita me natën me atë që kemi pasur, ku të gjithë dilnin kudo, bllokonin gjithçka”, tha kreu i bashkisë.

Veliaj premtoi ndërtimin e shkollave të reja dhe eliminimin e mësimit me turne në Tiranë.

“Brenda këtij viti do të fillojë ndërtimi i 20 shkollave të reja. Kjo do të mundësojë një Tiranë që nuk do ta ketë më problemin e klasave me dy turne”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat