Protesta e PD, Veliaj: Protestoni si qytetarë, mos na e bëni pis Tiranën!

Tirana

Protesta e PD, Veliaj: Protestoni si qytetarë, mos na e bëni pis Tiranën!

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 16:40
Erion Veliaj

Në analizën vjetore të Agjencisë së Parqeve dhe të Rekreacionit, kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj u bëri thirrje protestuesve që të tregohen të kujdesshëm për të mos e ndotur apo dëmtuar qytetin neser.

Veliaj: Si kryetar i Bashkisë kam respektuar kërkesën për t’i dhënë leje PD për të përdorur per proteste hapësirën publike te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Megjithatë, një kërkesë nuk ndryshon kurrë për cilëndo parti: Mos na e bëni pis Tiranën!

Kreu i Bashkisë deklaroi se qyteti i Tiranës është i të gjithë qytetarëve dhe ai duhet mbajtur pastër. Veliaj u kërkoi protestuesve që në fund të tubimit ta pastrojnë vetë Bulevardin.
Veliaj: Ne mund të kemi bindje të ndryshme politike, por Tirana na dhimbset të gjithëve, ndaj edhe porosia ime është që të protestojmë si qytetarë dhe ju lutem mos e bëni pis Tiranën! Nëse e bëni pis, sigurohuni që e pastroni, se do të thotë që shumë prej punonjësve tanë që do të duhet të ishin pushim ditën e shtunë, ose do të duhej të merreshin me aktivitete në park, t’i heqim nga shtëpitë e tyre për të pastruar zakonisht atë që mbetet pas protestave. Pavarësisht se edhe partia në fjalë paguan gjoba për këtë punë, por unë besoj që si qytetar sot, të protestojmë si qytetarë, ama të mos këpusim asnjë lule, të mos shqyejmë asnjë gur, të mos urinojmë rrugëve.

Veliaj u shpreh shpresëplotë që edhe qytetarët, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, do të respektojnë standardin që është vendosur për një Tiranë të pastër, të gjelbër dhe higjienike. Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj premtoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë me ndërtimin e parqeve të reja dhe të këndeve të lojërave jo vetëm në zonën urbane, por edhe në zonat rurale, të cilat i janë bashkuar së fundmi kryeqytetit. Ai u shpreh se filozofia për ndërtimin e hapësirave të reja të rekreacionit për qytetarët do të zgjerohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat