Universiteti i Tiranës, dalin kriteret e pranimit në 6 fakultetet e tij

Tirana

Universiteti i Tiranës, dalin kriteret e pranimit në 6 fakultetet e tij

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 08:08
Universiteti i Tiranës

Universiteti i Tiranës ka bërë publike kriteret e reja të pranimit të studentëve për vitin akademik 2017-2018. 

“Gazeta Shqiptare”, në tabelat bashkangjitur shkrimit, publikon të detajuar lëndët preferenciale dhe kriteret e reja për çdo program studimi që ofrohet në UT. Në muajin mars maturantët do të mund të plotësojnë formularin A1 ku do të zgjedhin dy lëndët që do të japin si provim me zgjedhje ndaj duhet që të kenë njohuri në lidhje me kriteret e pranimit në çdo program studimi. Parësore për maturantët në përzgjedhjen e dy lëndëve me zgjedhje është që të zgjedhin lëndë që kanë bindje se do marrin notë të mirë.

FAKULTETI I DREJTËSISË

Maturantët që do të aplikojnë në Fakultetin e Drejtë- sisë, 50% të pikëve i marrin nga mesatarja e tri viteve të shkollës së mesme, përfshi mesataren e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që 50 % të vlerësimit do ta ketë nota mesatare e pesë lëndëve preferenciale (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë provimet e maturës shtetërore), të cilat janë: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Histori, Qytetari, Ekonomi, Gjuhë e huaj ( e parë ) dhe secila prej tyre vlerësohet me 10%.

FAKULTETI I EKONOMISË

Fakulteti i Ekonomisë i ka bërë publike kriteret e pranimit që në muajin dhjetor, dhe formula e përzgjedhjes së studentëve është e njëjtë me vitin e shkuar, ku nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), të cilat përbëjnë 50 % të vlerësimit. Ndërsa 50 përqindëshin tjetër të vlerësimit kandidatët që do të aplikojnë te Ekonomiku i marrin nga nota mesatare e grup lëndëve preferenciale, (për të gjithë vitet, gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore). Në secilin program studimi, Ekonomia dhe Matematika kanë secila nga 15% të peshës, ndërsa dy lëndët e tjera Fizikë dhe Gjuhë e huaj nga 10%. Pra, maturantët që mesataret e këtyre lëndëve, për të tre vitet e studimit, i kanë të larta, kanë më shumë shanse të fitojnë të drejtën e studimit.

FAKULTETI I FILOLOGJISË

Ndryshime në kriteret e pranimit nga viti i kaluar ka Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë pasi në këtë fakultet nuk ka lëndë preferenciale. Për të gjitha programet e studimit në këtë fakultet, do të vlerësohet me 80 % të rezultatit përfundimtar mesatarja aritmetike e tre viteve të studimit në shkollën e mesme ndërsa me 20 % të pikëve maturantët i marrin nga mesatarja aritmetike e lëndëve të maturës shtetërore.

GJUHËT E HUAJA

Kriteret e pranimit për vitin e ri akademik kanë ndryshime edhe për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pasi e ka hequr fare grupin e lëndëve preferenciale që kishte një vit më parë, ku ishin të listuar 5 lëndë. Në vendimin e këtij fakulteti përcaktohet se studentët për vitin e ri akademik 2017-2018 do të pranohen vetëm në bazë të notës mesatare të tre viteve të gjimnazit përfshi edhe provimet e maturës.

SHKENCAT E NATYRËS

Në këtë fakultet 25% të pikëve maturantët i marrin nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe 25% mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore. Gjysmën tjetër të pikëve, pra 50% ata i marrin nga nota mesatare e grup lëndëve (kurrikula bërthamë). Në grup lëndët preferenciale të këtij fakulteti përfshihen lëndët biologji, kimi, fizikë dhe matematikë, por vlerësimi është në varësi të programit të studimit(shiko tabelën bashkëngjitur për detajimin).

SHKENCAT SOCIALE

Për të hyrë në Fakultetin e Shkencave Sociale, vlerësimi do të bëhet i tillë: Nota mesatare e thjeshtë e tri viteve të shkollimit 50% e vlerësimit; Nota mesatare e thjeshte e tri provimeve të maturës të detyrueshme (gjuhë dhe letërsi, matematikë, gjuhë e huaj) 40% e vlerësimit. Ndërsa 10% të pikëve kandidati i merr nga një provim me zgjedhje, ku përfshihen: Qytetari, Sociologji, Filozofi, Psikologji, Histori, Gjeografi, Biologji, Ekonomi, Teknologji. Nëse maturanti jep dy provime me zgjedhje nga lista e mësipërme atëherë llogaritja bëhet duke marrë notën mesatare të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat