Investimet në shkolla - Veliaj: Me Ramën Kryemistër, investime edhe pas 18 qershorit

Tirana

Investimet në shkolla - Veliaj: Me Ramën Kryemistër, investime edhe pas 18 qershorit

Më: 15 prill 2017 Në ora: 16:43
Shkollat

Si në qendër ashtu edhe në zonat rurale, investimet e Bashkisë do të bëhen njësoj e do u kushtohet e njëjta vëmëndje. Kështu ka deklaruar kryebashkiaku Erion Veliaj nga Shkolla e Bashkuar në Shëngjergj, ndërsa ka shprehur bindjen se edhe pas 18 qershorit investimet do të vazhdojnë pasi në krye të qeverisë do të jetë Edi Rama.

 Rreth 300 nxënësit që studiojnë në Shkollën e Bashkuar në Verri të Shëngjergjit do të kenë shumë shpejt mjedise më të mira sportive.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, inspektoi punimet që po realizohen për ambientet e reja sportive në këtë shkollë, ku theksoi se Bashkia e Tiranës ka si prioritet të sajin edhe investimet në zonat rurale.

Veliaj: “Tirana është bërë e stërmadhe. Sot jemi në një zonë që është më afër Librazhdit se sa qendrës së Tiranës, dje ishim në një zonë që ishte më afër Krujës se sa qendrës së Tiranës. Parimi është: në Tiranë ecim vetëm marshin e pestë. Nuk kemi një Tiranë, e cila ecën shpejt në qendër dhe më ngadalë në periferi. Besoj se strategjia jonë është balancimi i investimeve”.

Veliaj tha se krahas investimeve me ritëm të shpejtë në qendër, do të vijojë paralelisht puna për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale që deri dje kanë qenë të harruara.

 Veliaj: “Në një vit e gjysmë punë i kemi dhënë Tiranës, jo vetëm të njëjtën shpejtësi, por edhe të njëjtën cilësi, duke bërë balancimin e investimeve, që askush të mos ndihet i disavantazhuar që u bë pjesë e Bashkisë së madhe të Tiranës, por e kundërta është e vërtetë. Harxhojmë financa, miliona euro për rrugë rurale, për investime në fshat, të cilat në buxhetin e vjetër të komunave do të ishin një mision absolutisht i pamundur”.

Veliaj u shpreh i bindur për vazhdimin e qeverisjes nga Edi Rama edhe pas 18 qershorit.

Veliaj: “Do të vazhdojmë me këtë frymë deri në fund të mandatit. Njerëzit duhet të kuptojnë se fati i investimeve të bashkisë është i lidhur me atë të qeverisë. Ndaj, në datën 18 qershor do vazhdojmë në të njëjtin drejtim, me Edi Ramën kryeministër dhe me PS-në në krye të punëve të vendit. Ndërsa ne sigurohemi që çdo ditë bëjmë nga një punë konkrete për Tiranën sepse është garancia e vetme se si transformohet i gjithë qyteti”.

Krijimi i hapësirave të reja sportive në shkollën e mesme Verri parashikon ndërtimin e ambienteve të reja sportive, një fushë futbolli e shtruar me tapet, një fushë basketbolli, një fushë volejbolli, si dhe ndërtimin e dy pistave, njëra për vrap dhe tjetra për kërcim së gjati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat