Zbardhet dinamika/ Ja si dhe pse u plagos polici në Tiranë…

Tirana

Zbardhet dinamika/ Ja si dhe pse u plagos polici në Tiranë…

Më: 28 nëntor 2017 Në ora: 22:08
Foto nga vendi i ngjarjes

Detaje bëhen me dije lidhur me plagosjen e efektivit të policisë së Tiranës Ermal Bregu, rreth 33 vjeç, mbrëmjen e sotme.

Dinamika:

Rreth orës 19.35, një telefonatë ka dhënë alarmin në sallën operetave të policisë: Në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe Ambulanca ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:

Në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, tek ish parku i autobuzave përballë një lokali, punonjës policie i Komisariatit të Policisë Nr 1 Tiranë,  ka debatuar me dy shtetas. Të tre janë banorë në lagjes, sqaron Policia në komunikatën zyrtare lidhur me rastin.

Efektivi ka qenë jashtë orarit të shërbimit kur ka ndodhur ngjarja.

Në konflikt e sipër njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri ku për pasojë ka mbetur i plagosur Bregu. Sipas policisë, plagosja e Bregut nuk ka lidhje me detyrën.

Ai u dërgua në spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Sipas burimeve spitalore, efektivi është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë te rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve, njofton policia.

“Jemi shumë afër zbardhjes”,- tha për gazetarët nga vendi i ngjarjes kreu i Policisë së Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat