Plagosi agjentin, zhduket 23-vjeçari i lindur në Gjermani

Tirana

Plagosi agjentin, zhduket 23-vjeçari i lindur në Gjermani

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 17:28
Daniel Manushi

Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e atentatit në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, ku mbeti i plagosur efektivi i policisë, 30-vjeçari, Ermal Bregu. Sipas burimeve, autori i atentatit është Daniel Manushi, 23-vjeç tashmë i shpallur në kërkim. I riu mësohet se ka lindur në Gjermani, dhe ka nënshtetësi gjermane, ndërsa nga banorët e zonës njihet si person problematik. Nga ana tjetër, vetë i plagosuri nuk ka dhënë shumë detaje rreth ngjarjes, duke thënë se nuk ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm me ta. “Dy personat i njoh, sepse jetojnë në lagje. Nuk kam pasur konflikte të mëparshme me ta. Gjithçka ndodhi në pak minuta për arsye banale. U gjendëm përballë dhe po më thoshin: Pse na shikon. Më fyen dhe pastaj u grindëm me fjalë, ndërsa njëri prej tyre nxori pistoletën dhe më gjuajti”, mësohet të ketë thënë 30-vjeçari, në deklaratën që ka dhënë në polici.

Zyrtarisht, policia tha se dyshon për ndonjë konflikt të momentit, por nga ana tjetër, po hetohet edhe për ndonjë sherr të mëparshëm që polici, i cili punonte si agjent krimi në Komisariatin e Policisë nr.1, mund të ketë pasur me personat që e qëlluan me armë zjarri. Sipas burimeve, deklarata e Bregut në polici, është marrë me rezerva nga hetuesit e çështjes, të cilët po punojnë për të zbardhur ngjarjen. Gjithashtu mësohet se janë shpallur në kërkim dy persona njëri prej të cilëve është autori i plagosjes dhe tjetri personi që e shoqëronte, ky i fundit akuzohet për moskallëzim të krimit.

Që prej mbrëmjes të së martës policia është vënë në kërkim të autorëve, por pavarësisht kontrolleve të shtuara pas ngjarjes që tronditi Tiranën, ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre. Kamerat e sigurisë së lokalit, pranë të cilit ndodhi atentati, kanë filmuar momentin e të shtënave, pamjet filmike janë sekuestruar nga policia në kuadër të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, të cilët flasin për “Shekulli”-n tregojnë se konflikti midis efektivit të policisë, dhe dy personave të tjerë, tashmë të shpallur në kërkim, ka nisur në një lokal dhe në kohën që viktima është ngritur për tu larguar nga lokali, vetëm 100 metra nga vendi ku ishin ulur, është ndjekur dhe qëlluar me armë zjarri dy herë, një herë në bark dhe në kofshë.

Gjithashtu dëshmitarët në vendin e ngjarjes, tregojnë se në lidhje me atentatin, janë shoqëruar në polici disa nga banorët e lagjes, të cilët janë marrë në pyetje për zbardhjen e plotë të krimit, ndërsa shtojnë se efektivi i policisë njihet si njeri i qetë. Sipas deklaratës zyrtare të policisë, efektivi nuk ka qenë në detyrë në momentin që është qëlluar me armë zjarri, dhe se ngjarja nuk ka lidhje me funksionin e tij në polici. Ngjarja në fjalë,  ka ndodhur para një lokali, rreth orës 19:30, ku pas një konflikti për motive banale, një person ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 30-vjecarit, Ermal Bregu, i cili shërben pranë Komisariatit numër 1 të Policisë në kryeqytet.

Gjithashtu, bëhet e ditur se edhe më herët, rreth 3 vite më parë, persona që nuk janë identifikuar ende nga policia, i kanë djegur automjetin e tij tip “Hummer”. Kjo ngjarje ka ndodhur në të njëjtën lagje ku ndodhi edhe atentati i mbrëmshëm, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, ku 30-vjeçari banon. Ndërsa vitin e kaluar Bregu pati një tjetër incident, pasi u plagos aksidentalisht me armën e shërbimit, teksa ishte duke e pastruar.

Kush është Daniel Manushi

Autori i plagosjes me armë është Daniel Manushi,  23 vjeç, i lindur në Kelheim, të Gjermanisë dhe banues në Tiranë në rrugën “Konferenca e Pezës”. I riu ndodhet në arrati, i shpallur në kërkim nga policia për plagosjen e 30-vjeçarit. Mësohet se policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e tij, por nuk kanë arritur të vënë në pranga të riun, i dyshuar si autor i ngjarjes.

Daniel Manushi qëndronte pothuajse gjithmonë tek ish-Parku i Autobusëve në kryeqytet, aty ku kishte edhe rrethin e tij shoqëror. Sipas informacioneve që ka policia e Tiranës, i riu konsiderohet si kontingjent krimi, ndërkohë që në kërkim është shpallur edhe shoku i tij, i cili dyshohet ta ketë ndihmuar për tu larguar nga vendngjarja pas plagosjes që ndodhi në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat