Veliaj kërkon për muze shtëpinë e Kadaresë dhe Agollit, Sadija: E vështirë të ndahem prej saj - Bota Sot
Veliaj kërkon për muze shtëpinë e Kadaresë dhe Agollit, Sadija: E vështirë të ndahem prej saj

Tirana

E mërkurë, 17 tetor 2018

Veliaj kërkon për muze shtëpinë e Kadaresë dhe Agollit, Sadija: E vështirë të ndahem prej saj

Më: 25 janar 2018 Në ora: 21:53
Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli

Bashkia e Tiranës kërkon të kthejë në muze, shtëpitë e dy shkrimtarëve: Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. Bëhet fjalë për dy apartamentet ku ata kanë jetuar në Tiranë. Së pari është kërkuar që bashkia t’i blejë ato nga familjarët e shkrimtarëve dhe më pas, t’i përfshijë në një projekt, ku të dyja do bëhen shtëpi muze. Të dyja apartamentet e Agollit dhe Kadaresë, gjenden në të njëjtin pallat, pranë qendrës së Kryeqytetit, pranë Teatrit Kombëtar të Operas, ose përkarshi vilës së familjes Petrela.

I njohur ndryshe si “Pallati me kube”, për të cilin Artan Shkreli pat shkruar “disidencë mbrujtur në tulla” ai qe konceptuar i tillë nga arkitekti Maks Velo. Ky i fundit qe kritikuar nga regjimi diktatorial për format kubiste dhe frymën moderne të objektit. Dritëro Agolli, pat jetuar në apartamentin në kat të katërt derisa u nda nga jeta në muajin shkurt të një viti më parë.

Ndërsa, Ismail Kadare, pat jetuar një kat më poshtë, në kat të tretë deri në vitet 1990, kur iku për në Paris.Te “Kohë antishenjë”, në parathënien e tij, Kadaré i mëshon faktit se Maksi: “ishte i guximshëm; pa pyetur askënd, te njëri nga apartamentet, ai që ishte parashikuar ‘me një dhomë pune’, bëri ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që dhoma e punës të kishte një hapësirë të pazakontë për stilin socialist të banesave. Pa u mjaftuar me këtë parashikoi vendin e një oxhaku… Ishte ndoshta i vetmi apartament në një ndërtesë banimi të përbashkët në Shqipëri i projektuar me një oxhak. Të dyja këto modifikime, hapësira dhe oxhaku, do të bëheshin problem më pas, çështja do të shkonte gjer te Kryeministri i shtetit. Vetë ndërtesa do të vihej në shënjestër të akuzave, sidomos pas dënimit të Maksit; do të quhej moderniste, kubiste, madje disa herë do të propozohej shembja e saj”. “Pallati i shkrimtarëve dhe artistëve” ka ende sot aty familjen e Feim Ibrahimit dhe prej ballkoneve të tij, vështrimi të kapte rrugën “Broduej” siç njihej rruga para tij, në komunizëm.

Muzë e vështire!
Kthimi në muze i apartamenteve është një ide joshëse për familjet e shkrimtarëve, po aq sa e vështirë. Është shumë e vështirë për ta, të ndahen me kujtimet e një jetë të tërë, mes atyre mureve.
E pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, Sadije Agolli, bashkëshortja e Dritëro Agollit, tha në linjë telefonike se “e kam shumë të vështirë të ndahem prej shtëpisë. Nuk e di a do mundem. Kam një jetë këtu dhe nuk e nëse kam fuqi të iki prej saj”.

Në një dyluftim ndjesish, mes gëzimit për idenë dhe trishtimit për ndarjen nga shtëpia ku kaloi gjysmën e jetës, Sadije Agolli, nuk e mendon pjesën tjetër të jetës pa objektet, aromën, kujtimet dhe hapësirat me të cilat jetoi me bashkëshortin. Duke ndjerë ende aty, frymën që ka lënë pas, për të kjo nismë duket ende e pamundur të realizohet.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test