Frikë e panik në autostradën Tiranë-Durrës, bizneset i druhen një tjetër përmbytje

Tirana

Frikë e panik në autostradën Tiranë-Durrës, bizneset i druhen një tjetër përmbytje

Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 08:21
Autostrada Tiranë-Durrës

“Një përmbytje tjetër edhe sikur në nivele të ulëta, do të thotë që ne të mbyllim fare biznesin, do të thotë një katastrofë për të gjithë zonën, ku ka jo pak biznese”.

Reshjet e të shtunës mbrëma kanë rikthyer tek bizneset e autostradës frikën e përmbytjeve. Bizneset pohojnë që edhe pse përroi në Citypark është hapur dhe reshjet kanë qenë larg nivelit të tyre në ditën e përmbytjes, përsëri niveli i ujerave ishte në kufijtë e kritikes. Po ashtu edhe nënkalimi që ndodhet aty pranë është përmbytur dhe niveli i ujit në të ishte rreth 80 cm të shtunën në mbrëmje. “Nëse niveli i reshjeve të shtunën do të ishte afër atyre të datës 30 nëntor 2017, një përmbytje tjetër do të shënonte datën 03/02/2018”, thonë sipërmarrësit e autostradës.

Puna për hapjen e përroit sapo ka filluar. Ajo që duhet të zgjidhet është vazhdimi i hapjes së tij përtej autostradës deri tek ura e vjetër e Limuthit. Fakti i fundit tregon se është pikërisht ky segment, i cili përbën rrezikun real të përmbytjeve, paralajmërojnë bizneset.

Sipërmarrësit e autostradën do t’i nisin një tjetër shkresë institucioneve përkatëse (Bashkisë së Tiranës e Vorës, Prefekturës Tiranë dhe Ministrisë së Brendshme) ku kërkojnë marrjen e masave në mënyrë që zona të mos përmbytet më.

Aktualisht, pohojnë ata, akoma nuk na është tharë uji i përmbytjes së fundit të 30 nëntorit 2017 dhe rrezikojmë të kemi një tjetër. “Një përmbytje tjetër edhe sikur në nivele të ulëta, do të thotë që ne të mbyllim fare biznesin, do të thotë një katastrofë për të gjithë zonën, ku ka jo pak biznese”.

Në 30 nëntor të vitit të kaluar, pas reshjeve të dendura të shiut, autostrada dhe zona e City Park u përmbytën duke sjellë dëmtime të rënda për bizneset e zonës por edhe qytetarët që në ato momente po udhëtonin me makina në autostradë. Bllokimi i Përroit të Limuthit ishte një nga arsyet, ndërsa nuk ishte e qartë nëse u hapën rezervuarët që ndodhen mbi autostradë, ndonëse disa foto me peshq që dergjeshin në rrugë “dekonspiruan” deklaratat se rezervuarët nuk janë hapur.

Pamje nga permbytjet e 30 nentorit 2017

Prefektura e Tiranës ngriti një grup pune për të  studiuar situatën dhe mundësitë e zgjidhjes dhe zgjerimi i Përroit të Limuthit filloi pak ditë më vonë. Por, sërish sipërmarrësit janë të shqetësuar se masat nuk janë të mjaftueshme…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat