Tiranë: Projekti “Edhe Muret kanë Veshë” nderon të dënuarit politikë të diktaturës - Bota Sot
Tiranë: Projekti “Edhe Muret kanë Veshë” nderon të dënuarit politikë të diktaturës

Tirana

E hënë, 22 tetor 2018

Tiranë: Projekti “Edhe Muret kanë Veshë” nderon të dënuarit politikë të diktaturës

Më: 9 maj 2018 Në ora: 17:33
Alketa Xhafa

Artistja Alketa Xhafa Mripa shfaqi mbrëmë në Tiranë dhe 6 qytete instalacionin e saj me afro 100 thënie nga rrëfimet e të dënuarve politikë të regjimit komunist.

Vepra quhet “Edhe Muret Kanë Veshë” dhe u shfaq në sheshin “Nënë Tereza” mbi muret e Universitetit të Tiranës për 12 orë nga mbrëmja në mëngjes.

Në tubim morën pjesë të reja e të rinj, studentë, të dënuar politikë të diktaturës komuniste dhe familjarë të tyre.

“Për këtë vepër kemi takuar dhe biseduar me mbi 60 persona të dënuar politikë dhe të përndjekur politikë. Tekstet janë rrëfimet e tyre të sinqerta. Unë jam shqiptare e Kosovës, edhe atje muret kanë pasë veshë, por atje krimet i kryen armiqtë serbë, ndërsa këtu në Shqipëri është e pabesueshme se çfarë krimesh kanë kryer komunistët shqiptarë mbi shqiptarët e thjeshtë. Shumë nga të dënuarit që takuam po presin vetëm një kërkim falje e ndjese nga persekutorët. Shqiptarët e kanë në fisnikërinë e tyre historike edhe kërkimin e faljes edhe me falë, dhe ndjesa duhet të kryhet, edhe pse me kaq vonesë” – tha artistja Alketa Xhafa Mripa.

Projekti artistik është pjesë e fushatës “Të përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, e cila u përkrah nga qeveria italiane, UNDP (Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara) dhe nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit.

Instalacioni bazohet mbi thënie dhe dëshmi të mbijetuarve përndjekja e diktaturës komuniste dhe u shfaq njëkohësisht mbi fasadat e ndërtesave mbizotëruese në qendrat e qyteteve Tiranë, Korçë, Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Tepelenë.

“Historia është shkruar keq dhe shumë fakte e dokumenta janë fshehur dhe zhdukur, por ne po përpiqemi të hedhim dritë mbi përmasat e vërteta të kësaj fatkeqësie që vuajtën njerëzit. Qytetarët ende janë të ndarë e të përçarë mbi temat e regjimit komunist, sepse nuk njohin plotësisht të vërtetat. Sa më shumë ato të zbulohen e të dalin në dritë aq më shpejt skajet e shoqërisë do të bashkohen mbi parime humane” – tha Genta Mara Sula, drejtuese e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e Sigurimit të Shtetit.

Instalacioni tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të Tiranës, diplomatë e studiues, media vendore dhe kalimtarë të thjeshtë.

Ata ndoqën në heshtje materialin filmik për disa orë në shenjë respekti për gjithë vuajtjet e pamerituara të viktimave të diktaturës komuniste.

Shqipëria vuajti për afro gjysëm shekulli shtypjen e njërit prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës lindore, por ende sot pas 3 dekadash zyrtarët dhe nostalgjikët e atij regjimi anti-human nuk shfaqin asnjë pendesë, asgjë falje dhe pengojnë ndriçimin e krimeve të diktaturës, si edhe rehabilitimin moral e shëndetësor të viktimave të saj në shoqëri./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test