Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas; Firmoset marrëveshja me BERZH - Bota Sot
Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas; Firmoset marrëveshja me BERZH

Tirana

E mërkurë, 17 tetor 2018

Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas; Firmoset marrëveshja me BERZH

Më: 9 maj 2018 Në ora: 20:27
Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Christian Danielson, ai i BERZH-it në Tiranë Matteo Colangeli dhe zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Erion Luçi firmosën marrëveshjen e grantit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe degëzimin me Rinasin.

Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë euro. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet është në shumën prej 35,435,000 Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.

“Sot është dita e Evropës dhe në këtë ditë Bashkimi Evropian mbështet një prej projekteve më të rëndësishme, të parin pas dhjetëra vitesh në sektorin e hekurudhave në Shqipëri. Ky projekt do të ndikojë në cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Drejtori për zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielson u shpreh i kënaqur që tanimë me ndihmën e Bashkimit Evropian ky projekt po avancon.

“Është shumë e rëndësishme që në ditën e Evropës ne kemi ardhur sot këtu, kemi nënshkruar një marrëveshje granti dhe i kemi dhënë dorën njëri tjetrit. Ky sektor dhe këto lidhje që do të krijohen do të ndihmojnë që të afrojnë Shqipërinë jo vetëm me vendet fqinje por edhe me pjesët e tjera të rajonit dhe natyrisht edhe me BE. Projekti gjithashtu do të ketë një impakt të madh në ekonomi dhe këtë do ta arrijë me anë të përmirësimit të flukseve në tregti. Do të përmirësojë po ashtu edhe treguesin e vendeve të reja të punës, jo vetëm në periudhën e ndërtimit por edhe gjatë funksionimit dhe mirëmbajtjes së linjës”, theksoi Danielson.

Ministri Gjiknuri tha se po punohet edhe për projekte të tjera në infrastrukturën hekurudhore, si ai për lidhjen e Vorës me Shkodrën dhe Hanin e Hotit drejt Malit të Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test