Transformohet blloku i banimit në Allias, Veliaj: Mbajtëm premtimin

Tirana

Transformohet blloku i banimit në Allias, Veliaj: Mbajtëm premtimin

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 13:32
Erion Veliaj

Deri para pak muajsh e gjithë zona përreth rrugës “Njazi Meka” në Njësinë nr.4 konsiderohej si një lagje e dorës së dytë, pasi mungonte infrastruktura urbane dhe ajo e ofrimit të shërbimeve. Sot e gjithë kjo zonë ka jo vetëm çerdhe, kopshte, shkolla e mensa sociale që ofrojnë të gjitha standardet, por edhe një mobilim urban nga më të mirët në Tiranë.

Bashkia e Tiranës është duke përfunduar punimet për rikualifikimin urban të të gjithë kësaj lagje që shtrihet në një sipërfaqe prej 58 hektarësh dhe ku përfshihen 35 segmente rrugore dhe sheshe. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputetit, Sadri Abazi, inspektoi punimet që po kryhen, ndërsa theksoi se ndryshimi në këtë pjesë të Tiranës është i madh.

“Megjithëse është një vapë jashtëzakonshme, i jashtëzakonshëm është mundi i atyre që po punojnë për të sjellë Tiranën në terezi, përpara se njerëzit të kthehen nga pushimet. Jemi sërish në njësinë 4, një njësi e cila për faktin që ishte pjesë e Bregut të Lumit, për faktin që kishte shumë zona informale, konsiderohej një llaf i pistë në Tiranë. Sot e kemi ndryshuar këtë realitet. Bregu i Lumit jo vetëm është sinonim i shkollave, kopshteve, çerdheve të reja por i shumë prej blloqeve që po transformohen dhe mesazhi që duam të japim, nuk ka rëndësi nëse je kuksian, apo nëse je sarandiot; nëse je dibran apo përmetar. Kush jeton në Tiranë do trajtohet si kryeqytetas”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai u shpreh se ky është një premtim i mbajtur dhe se tashmë me këtë investim kuptimi negativ i emërtimit “Bregu i Lumit” nuk vlen më.

“Më vjen mirë sot që një lagje e cila ka banorë që në 30 vitet e fundit kanë ardhur për të kërkuar një jetë më të mirë në Tiranë, sot realisht kanë marrë jetën që kanë kërkuar. Pra duke vënë këtë infrastrukturë, me rrugët, me trotuaret për fëmijët, me ndriçimin, me ujësjellësin e gjithë kanalizimet, kemi sjellë realisht të njëjtin standard tek Bregu i Lumit, që është edhe në lagjet e tjera të Tiranës. Sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë. Sot kemi prekur 5 blloqe masive, 32 rrugë. Ka plot të tjera për të bërë por më vjen mirë që e kemi mbajtur këtë premtim, ende pa mbaruar mandatin në Bashki. Kemi qenë këtu dhe e kemi premtuar këtë bllok në fushatë dhe pas 3 vitesh, lagjja nuk dallohet më”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se investimi i ka rritur gjitha vlerën pronave në këtë zonë, ndërsa falënderoi banorët për bashkëpunimin që kanë treguar për ti hapur rrugë një projekti me të gjitha standardet.

Investimet shtrihet në një sipërfaqe prej 58 hektarësh dhe me 35 segmente rrugore dhe sheshe që rehabilitohen. Zona në të cilin shtrihet projekti kufizohet nga rrugët: “Njazi Meka”–“Grigor Prelecev”–“Niko Avrami”–“Spiro Çipi” –“Fitnete Rexha”–“Myslim Keta”–“ Skënder Vila” dhe Lumi i Tiranës”, shtrihet në pjesën Veri – Lindore të qytetit të Tiranës si pjesë e territorit administrativ të Njësisë Bashkiake Nr. 4. Edhe në këtë bllok janë aplikuar standardet më të mira me kanalizim të ujërave të bardha, të ujërave të zeza, trotuare, linjat elektro-telefonisë, ndriçimit, muret dekorative rrethuese, muret pritëse, muret mbajtëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat