Shahu në shkolla, Veliaj: Mundësi fantastike për të rinjtë

Tirana

Shahu në shkolla, Veliaj: Mundësi fantastike për të rinjtë

Më: 1 shtator 2018 Në ora: 14:44
Erion Veliaj

Loja e shahut do të bëhet pjesë e të gjitha shkollave të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Federatën Kombëtare të Shahut, do të hartojë një program për zhvillimin e sportit të shahut për të gjitha shkollat e Tiranës, si një mundësi fantastike për të rinjtë.

“Është shumë mirë që të rinjtë po merren me sporte fizike, me basketboll, futboll, volejboll, por edhe sporti i mendjes është po aq i rëndësishëm. Ndaj, mezi pres që, bashkë me presidentin Shalsi, të hartojmë një program për të gjitha shkollat tona, si një mundësi fantastike për të rinjtë, të ndjekin kurse shahu në shkollat komunitare”, tha Veliaj, në edicionin e 6-të Ndërkombëtar të shahistëve frankofonë.

Ai vlerësoi organizatorët për zhvillimin e kampionatit të shahut të Frankofonisë dhe u shpreh se Tirana i ka të gjitha mundësitë të mikëpresë jo vetëm aktivitete ndërkombëtare, por edhe për të rritur angazhimin e të rinjve në sport.

“Jam shumë i lumtur sot që Tirana është bërë shtëpia e shahut të frankofonisë. Falenderoj organizatorët, por mbi të gjitha presidentin tonë të shahut, mikun tonë Eduard Shalsi, i cili këto ditë e ka kthyer Tiranën në kryeqytetin e shahut. Jam shumë entuziast mbi potencialin që kemi, jo vetëm për të krijuar aktivitete ndërkombëtare, por për të pasur një përditshmëri të angazhimit, sidomos të të rinjve dhe të fëmijëve me shah”, tha Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat