Veliaj thirrje drejtorëve të shkollave: Respektoni kuotat, mos regjistroni nxënës të zonave të tjera - Bota Sot
Veliaj thirrje drejtorëve të shkollave: Respektoni kuotat, mos regjistroni nxënës të zonave të tjera

Tirana

E martë, 13 nëntor 2018

Veliaj thirrje drejtorëve të shkollave: Respektoni kuotat, mos regjistroni nxënës të zonave të tjera

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 13:31
Erion Veliaj te shkolla “Dëshmorët e Lirisë”

Shkolla “Dëshmorët e Lirisë” është rinovuar tërësisht dhe këtë të hënë do të presë nxënësit e saj në ambiente të reja.

“Kemi premtuar se çdo shkollë ku po punojmë do të jetë gati, ndaj skuadrat po punojnë deri në 17 shtator. Jemi në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, ku ka ende pak punë për të mbyllur terrenin sportiv, ndërkohë që ka mbaruar auditori, kanë mbaruar punimet e brendshme, banjot e reja, veshja me kapotë, të gjitha klasat, plus klasa parashkollore, e cila do të jetë e pranishme në shumicën e shkollave të Tiranës, si një klasë më vete që parapërgatit fëmijët që do të nisin klasën e parë”, u shpreh Veliaj gjatë inaugurimit të shkollës.

Kryebashkiaku u bëri thirrje drejtorëve të shkollave të Tiranës që të respektojnë kuotat dhe të mos bëjnë regjistrime të nxënësve që vijnë nga zona të tjera, duke theksuar se tashmë të gjitha shkollat ofrojnë kushte dhe standarde mësimdhënie të njëjta. “Ftesa jonë për drejtorët ka qenë: Respektoni maksimalisht kuotat! Duke pasur dëshirë për të mbushur shkollën dhe për të bërë ndonjë nder të vogël, me mbingarkesë, në fakt e rrënojnë cilësinë e arsimit për gjithë të tjerët. Duhet ta kemi të gjithë parasysh këtë dhe ta respektojmë si rregull të Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se me ndërtimet e shkollave të reja që do të hapen këtë vit, por edhe me shtimin e klasave në një sërë shkollash të tjera ekzistuese, për disa zona të Tiranës eliminohet mësimi me dy turne.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test