Veliaj thotë se ka zgjidhur protestën tek Astirit, protestuesit thonë ndryshe: Mashtrues ordiner

Tirana

Veliaj thotë se ka zgjidhur protestën tek Astirit, protestuesit thonë ndryshe: Mashtrues ordiner

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 16:19
Erion Veliaj

Këtë të martë Erion Veliaj ka pritur disa qytetarë të Astirit ku dhe ka premtuar se Bashkia e Tiranës është e gatshme të rrisë dhe qiranë në më shumë se 3 vite për ata banorë që vendosin të largohen për t’i hapur rrugën projektit të Unazës së Madhe.

Ky të paktën është pretendimi i kryebashkiakut i ardhur përmes një njoftimi për shtyp nga ana e Bashkisë së Tiranës, e cila thotë se tashmë ngërçi është zgjidhur.

“Bonusi i qirasë cash është 3 vjet, po edhe atë mund ta rrisim, po banesa sociale gjithë jetën. Do të thotë që jemi përgatitur që për të gjithë këtë kategori si dy shtëpitë që u prishën mbrëmë, si dy shtëpitë që u prishën sot në mëngjes, si dy shtëpitë që do të prishen tani në drekë që hyjnë te kategoria që as kishin bërë letra legalizimi, as kishin certifikatë pronësie, as kanë thjesht me fut kokën diku, sot e kanë fut kokën në një vend shumë më të mirë, me punonjëse sociale, me mensë sociale, me restorant, me të gjithë shërbimet që iu ofron në atë zonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku madje shtoi gamën e premtimeve

 “Ka një kategori të dytë që ka të bëjë me çështjen e shpronësimit dhe në pjesën më të madhe na rezulton që përveçse përfitojnë nga shpronësimi kanë edhe pjesë toke mbrapa. Kush ka tokë tjetër mbrapa të vetën, që nuk e prek fare gjurma, të vijë që nesër të aplikojë për ndërtim në bashki, koeficientet janë publikë, nuk është një gjë që po e bëjmë sot me presion. Futuni te Tirana.al dhe shikoni që aty është, ka një vit koeficienti. Ama nëse shpronësohesh do ta ketë te shpronësimi, nëse nuk shpronësohesh i gjithë territori që preket nga gjurma që është tokë jotja të quhet koeficient te ndërtimi që do të bësh vetë. Pra, në qoftë se ke këtë hapësirë, 30-40% ta zë rruga dhe 50-60% e ke tokën tate që s’ta prek, atëherë të gjithë metrat që të takojnë në pallatin tënd apo në ndërtesën tënde të transferohen te kjo pjesë dhe krejt papritur nuk je më hallexhi, por je dikush që ke ndërtuar në vijë të parë të rrugës më të rëndësishme sot të Shqipërisë”, tha Veliaj.

Por ndryshe pretendojnë protestuesit në zonën e Astirit. Shumë prej tyre kanë dalë në një reagim për lajmin e publikuar dhe janë shprehur se kryebashkiaku po mashtron qytetarët. Sipas tyre asnjë prej personave që ka qenë në Bashki nuk është përfaqësues i protestës që zhvillohet prej thuajse një muaji në zonën e Astirit. Madje njëri nga qytetarët u shpreh se nuk ka “bir k***” që ta nxjerrë nga shtëpia.

Protestuesit: Nuk janë banorë ata fare, janë zarat e Veliajt

Deputeti i PD Klevis Balliu: Një mashtrim i turpshëm i personit që ka mamanë me pensionin më të madh në Evropë, që mund të paguajë dasma... ishte një mashtrim i turpshëm dhe ordiner që vetëm një vemje politike si Erion Veliaj mund ta bënte.

Banori: Të gjithë ata për të cilat flet Veliaj janë të pavërteta, janë mashtrim i gjallë. Njerëzit që protestojnë për shtëpiat e tyre janë vetëm këtu, kurse pazaret e ndërtimit tek ca pseudobanorë janë tjetër gjë. Këtu asnjë protestues nuk ka qenë në atë vorbullën e kazanin e atij Veliajt. Shpiat tona nuk ka bir (Kur**) ... nga ajo fjala që përdorin këta rilindasit që të na i prishë! Unë të them që iki nga rruga nëse njëri prej atyre që kanë qenë atje tek Veliaj ka qenë në protestë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat