Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës

Turizëm

Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës

Më: 26 maj 2019 Në ora: 16:15
Gjirokastra

Gjirokastra vijon të jetë në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj. Rrugët gjarpërushe janë të mbushura me vizitorë të huaj, disa nga Gjermania, disa nga Holanda, Franca, por ka edhe nga Brazili i largët, të cilët kanë ardhur në vendin tonë për të shijuar pamjen magjepse, kulinarinë dhe kulturën e një vendi që në çdo cep fsheh një histori.

“Jam nga Gjermania. Ne planifikojmë të qëndrojmë dy a tre javë. Fillimisht do të qëndrojmë këtu në Gjirokastër, ndërsa nesër do të shkojmë në Himarë. Gjithashtu duam të vizitojmë edhe Durrësin. Këtu na pëlqen shumë ushqimi”, thotë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare një nga vizitorët

“Ne vijmë nga Holanda. Ne do të qëndrojmë në Shqipëri 14 ditë, ndërsa këtu në Gjirokastër do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Qyteti i Gjirokastrës është i bukur. Në fillim kemi vizituar Tiranën, pastaj vizituam Liqenin e Komanit, ku morëm tragetin për të shkuar në Valbonë”, bën me dije një tjetër vizitor.

“Na pëlqen natyra dhe historia e këtij vendi. Ne vizituam kështjellën, që ishte gjigante dhe shumë objekte këtu janë ruajtur shumë mirë. Po kështu, edhe ushqimi na pëlqen shumë, përfshi kuzhinën tradicionale vendase, sikurse edhe gatime të kuzhinave të huaja, që shërbehen këtu. Për të qenë të sinqertë, tha ai, ne nuk e prisnim këtë mikpritje në Shqipëri. Ky vend tregoi se është tepër mikpritës ndaj nesh si turistë, kështu që kjo është vërtet shumë gjë e bukur. Për Shqipërinë kemi mësuar nga librat”, tha turisti tjetër i intervistuar nga ATSH.  “Unë kam blerë edhe nja dy libra kushtuar Shqipërisë”, shtoi ai.

“Kemi mësuar rreth Shqipërisë duke lexuar në internet dhe ishte një dëshirë, veçanërisht e imja për të ardhur në këtë vend. Në internet ofrohet një informacion i gjerë rreth Shqipërisë”, tha turistja.

“Padyshim që ne do të flasim shumë me miqtë tanë në Holandë lidhur me Shqipërinë. Është një vend shumë i bukur dhe ka aq shumë gjëra të bukura për t’u treguar vizitorëve”, tha ai.

“Ne vizituam edhe Muzeun Kombëtar në Tiranë, ku ishin ekspozuar disa piktura të socializmit, të epokës së kaluar”, theksoi ai.

“Unë vij nga Holanda. Jam këtu prej një jave. Kemi qenë në Ksamil, ndërsa tani po vizitojmë Gjirokastrën. Më pas do të vizitojmë Durrësin dhe Tiranën. Gjirokastra është një qytet shumë i bukur. Po ashtu, edhe Ksamili ishte një plazh shumë i mrekullueshëm, qytet i këndshëm dhe shtëpi të bukura. Edhe ushqimi më pëlqen shumë. Ecja në fakt këtu është paksa e vështirë, pasi kalldrëmet janë shumë të pjerrët. Kam mësuar rreth Shqipërisë kryesisht përmes internetit”, tha një turist tjetër i intervistuar nga ATSH.

“Unë vij nga Anglia, Jorkshire. Këtu jemi me pushime. Do qëndrojmë shtatë ditë. Sot jemi në Gjirokastër dhe dje ishim në Sarandë. Sapo kemi arritur këtu në Gjirokastër. Çdo gjë duket shumë mirë. Duket vend i mirë për të ardhur”, tha turistja.

“Ne jemi nga Gjermania, Mynihu. Do të kalojmë një javë në Shqipëri. Do të udhëtojmë me autobus. Kemi parë Beratin. Tani jemi në Gjirokastër. Do të shkojmë në Pogradec. Do të shohim edhe Syrin e Kaltër. Po, Shqipëria na pëlqen shumë. Vajza ime kaloi katër muaj në Shqipëri dhe ajo me këshilloi të vija. Po, dhe ushqimi tradicional na pëlqeu shumë”, tha një turiste.

“Jam nga Holanda. Këtu erdhëm të dielën. Sot është e premte. Pra, pesë ditë deri tani. Nuk e kemi mbaruar vizitën akoma. Por, na ka pëlqyer mikpritje, miqësia e njerëzve, natyra, klima. Gjërat këtu duken shumë origjinale. Ushqimi është shumë i mirë. Kemi provuar glikonë. Kemi ngrënë patëllxhanë. Dhe kemi pirë raki. Por mua më pëlqen vera. Kështjella ishte goxha e madhe dhe e bukur. Nuk e prisnim të ishte kaq e madhe. Ne kemi mësuar për Shqipërinë nga interneti. Dhe nga një guidë në Holandë. Kemi parë Tiranën, Pogradecin, Përmetin, Korçën dhe tani jemi këtu.  Çmimet janë të të lira, shumë më të lira se në Holandë”, tha turistja për ATSH.

“Ne jemi nga Brazili. Nuk kemi pasur informacion për Shqipërinë. Ishim në Korfuz. Thamë, le të shkojmë në një vend tjetër për të cilin nuk dimë gjë, ata na thanë se Shqipëria është më afër të gjithave. Dhe erdhëm këtu. Na pëlqeu vërtet shumë. Kemi qenë në Sarandë. Sot është dita e parë që erdhëm këtu në Gjirokastër për ta eksploruar. Na pëlqeu shumë. Peshku në Sarandë ishte shumë i mirë. Rakia, po ashtu ishte shumë e mirë. Natyrisht do t’i tregojmë dhe miqve. Njerëzit janë të lumtur dhe mikpritës dhe të butë”, thanë disa brazilianë për ATSH.

“Unë jam nga Franca dhe jam këtu prej gjashtë ditësh. Ne sapo erdhëm nga Korça do të rrimë këtu sot dhe nesër do të shkojmë në Rivierë. Njerëzit janë shumë të këndshëm, janë shumë origjinalë dhe natyra është e mrekullueshme. Edhe ushqimi është shumë i mirë. Çmimet janë sigurisht më të lira se në Europë apo se në Francë, po po janë të lira.  Deri tani përvoja më e mirë janë njerëzit, shumë mikpritës dhe shumë të këndshëm”, tha turisti nga Franca për ATSH-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat