Shqipëria në sytë e turistëve të huaj - Bota Sot
Shqipëria në sytë e turistëve të huaj

Turizëm

Shqipëria në sytë e turistëve të huaj

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 08:50
Ilustrim

Ishin vitet ’80, kur Sabine dhe Klaus Welz, nga Freiburg i Gjermanisë zgjidhnin Korfuzin si një destinacion pushimesh. I pëlqente klima dhe atmosfera mesdhetare, por përballë tyre qëndronte misteri i vërtetë që iu grishte kuriozitetin. Dinin që ishte një vend ku ata e kishin të ndaluar të shkelnin. Për vite të tëra, mund ta shquanin së largu, sot kanë ardhur ta vizitojnë si turistë. Ndoshta do të kishin ardhur më herët, por historia nuk ka qenë shumë bujare vit pas viti, pas ndryshimit të regjimit dhe tek-tuk ka dalë gjithmonë ndonjë problem në horizont për vendin e vogël në tranzicion të zgjatur, raporton Monitor.

I gjejmë tek relaksohen në Beach Barin (lokalin e plazhit) të Harmonia AS Hotel. Sapo kanë mbyllur turin e tyre në Shkodër. “Kemi qenë gjithmonë kureshtarë që të vinim në Shqipëri, pasi disa herë kemi bërë pushimet në Korfuz. Në atë kohë nuk dinim si të vinim. Ishte mister, pasi njihen si një vend nën një regjim diktatorial dhe tërësisht i izoluar. Rastësisht pamë ofertën e pushimeve për në Shqipëri në një revistë dhe menduam që ky ishte shansi për ta vizituar.

Përgjithësisht, na ka pëlqyer Shqipëria me kaq sa kemi parë, por ka edhe shumë aspekte që ndoshta do të duhet t’i shihni me kujdes. Për shembull, nuk na pëlqejnë ndërtesat e shumta në një zonë si kjo, turistike dhe buzë detit, ku një pjesë janë në gjendje të keqe, ndërkohë që ju vazhdoni ende ndërtoni në po këtë zonë. Këtu plehrat gjenden vend e pavend”, tregojnë ata, përcjell albinfo.ch.

Ata kanë mbërritur para pak ditësh dhe kanë mundur të shohin vetëm Durrësin, kantinën “Skënderbeu” që u ka pëlqyer, si dhe Shkodrën.

Ata shprehen se hoteli ku po qëndrojnë u duket i mirë nga kushtet, por shërbimi është ende larg nivelit që ka shërbimi në vendet e Perëndimit. “Para se të niseshim, vendosëm që të merrnim një lloj përshtypjeje nga website-t ku raportojnë turistët. Kemi parë komente nga më të ndryshmet. Sigurisht, kishim një lloj paragjykimi për atë që do të gjenim, por për fat të mirë jemi befasuar pozitivisht”. Kur i pyesim nëse do t’ua rekomandonin të afërmve që të vizitonin Shqipërinë, konfirmojnë se po.

“Sigurisht që do ta rekomandoj, sepse kemi kontakte dhe një pjesë e tyre kanë po atë interesin e mistershëm për Shqipërinë, por po ashtu do t’iu themi që jeni edhe në fillimet e turizmit, në mënyrë që ta dinë”, thekson Klaus. Sipas tij, Shqipëria të lë përshtypjen tipike të vendeve të ish-Bllokut me shumë aspekte, sidomos te cilësia e bufesë ku serviren ushqimet e vaktit. “Ne i kemi vizituar këto vende të ish-Bashkimit Sovjetik fiks në kohën kur kthyen sytë nga turizmi dhe gjejmë shumë ngjashmëri me atë që përfaqësoni ju sot. Nëse do të kthehemi apo jo në Shqipëri, nuk jemi të sigurt, por ndoshta po dhe këtë herë duam që të shkojmë në Jug të vendit, për të cilin kemi dëgjuar shumë”, shprehet Sabine.

“Shqipëria të ruajë origjinalitetin, është avantazhi i saj”

Lehr Norbert ka vizituar 100 shtete gjatë jetës së tij. Kjo e bën qasjen e tij ndaj Shqipërisë edhe më pozitive kur shprehet se të huajt duhet t’i japin kohë për t’u zhvilluar. “Kam udhëtuar që i ri dhe i kam rënë botës të paktën pesë herë. Udhëtimi im më i fundit ka zgjatur 14 muaj, çka mbyll ciklin e pestë që i kam rënë rrotull botës. Për herë të parë, kur doja të vija në Shqipëri, ka qenë kur ju ishit ende në diktaturë. Arrita deri në Pejë dhe doja të kaloja edhe këtej. Por më thanë që ishte e pamundur ta vizitoja, për shkak të regjimit. Kam qenë gjithmonë kureshtar për atë çfarë ndodh me vendet që kanë qenë nën regjime diktatoriale. Para 10 ditësh isha në Armeni dhe Ukrainë, po për të njëjtën arsye.

Por Shqipëria cilësohet si një rast ekstrem diktatorial, edhe në raport me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe për këtë, kureshtja është më e madhe. Shoh që ka nisur të ndryshojë”, shprehet Norbert. Ai thekson se Shqipëria në këtë vrull të ndryshimit duhet të tregohet e zgjuar dhe të ruajë origjinalitetin e saj. Nuk duhet të kopjojë çdo gjë të Perëndimit pasi jo çdo gjë që shndrit është ar”, thotë ai.

Teksa e pyesim për bregdetin dhe si i duket Durrësi, ai nënvizon se fillimisht para se të vinte këtu, ka hasur plot paragjykime për vendin tonë, por në fakt ka gjetur krejt të kundërtën. “Unë kam udhëtuar shumë dhe kjo më ka dhënë mundësinë të shoh shumë. Ndaj nuk jam një njeri që paragjykoj apo arrij në konkluzione menjëherë. Mund të them se jam i kënaqur me shërbimin dhe me atë që kam gjetur. Shqipëria ka nevojë për kohë, ashtu sikurse vende të tjera që kanë kaluar një cikël të vështirë politik. Për shembull, gruaja ime është nga Filipinet dhe e njoh mirë historinë e tyre. Në një moment, në vitin 1986, diktatori Ferdinand Emmanuel Edralin Marcos u arratis në Hawaii, pasi pati frikën e zemëratës popullore që po rritej. Dokumentet e mëvonshme treguan se ai i vodhi shtetit 10 miliardë dollarë. Në atë kohë, shumë do të pyesnin një predikues popullor në vend a ishte ky shpëtimi dhe a do të ndryshonte tashmë fati i Filipineve.

Ai ju përgjigj: çfarë vlerë ka kur ka ikur Ali Baba, por 40 hajdutët i kemi këtu mes nesh. Edhe në Shqipëri është e njëjta situatë. Ju jeni pa Ali Babën por 40 hajdutët i keni mes jush. Do t’ju duhen një po dy gjenerata të tjera që politika të ndryshojë dhe të pastrohet sistemi i hajdutëve. Edhe ne si Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, na është dashur kohë që të pastronim sistemin tonë nga ato gjenerata. Jam lindur në vitin 1940 dhe kam parë çfarë ka ndodhur. Gjithsesi, koha është e vetmja për të cilën duhet t’ju mirëkuptojnë. Për të ardhur në Shqipëri, ne paguajmë shumë pak dhe e dimë se çfarë do të gjejmë. Kush kërkon të shkojë në Karaibe, duhet të paguajë si Karaibet dhe të shërbehet si aty”, nënvizon Norbert teksa po shijon një birrë shqiptare.

Një pjesë e mirë e hoteleve në Golem janë gjallëruar që në fillim të majit me ardhjen e turistëve të parë nordikë, çekë, polakë dhe gjermanë. Të vendosur në disa prej strukturave akomoduese që kanë nisur bashkëpunimet dhe kontratat prej të paktën katër vitesh, tashmë paketat vetëm sa konsolidohen. Sokol Hoxha, nga Shkodra Travel, të cilin e gjejmë mes turistëve në Golem, na tregon se Shqipëria avantazh kryesor ka çmimet e lira.

“Turistët buxhetorë që na vizitojnë nuk vijnë për bukuritë e Shqipërisë si prioritet, por sepse jemi të lirë. Një paketë ‘all inclusive’ varion mes 40-50 euro dita për person, çka na kategorizon te vendet ekonomike. Gjithsesi ka edhe tregje që paguajnë më shumë dhe për të cilët po përshtaten edhe strukturat akomoduese. Ne po ndërtojmë një hotel të ri me 96 dhoma, me pesë yje, që do të ketë 80 të punësuar. Shtimi i strukturave akomoduese vjen në kushtet kur ka gjithmonë e më shumë kërkesë nga Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia, ndërkohë që ata që dominojnë janë polakët”, tregon Hoxha. Sipas tij, grupi i gjermanëve vijnë gjatë gjithë vitit, madje më pak në verë se janë të interesuar për pjesën kulturore. Parapëlqejnë paketat e plota 7 ditore që nis me Shkodrën vazhdojnë me Durrësin, Beratin, Vlorën.

Shqipëria, kur vjen puna te nxitja e turizmit, has me një konkurrencë agresive nga ana e vendeve fqinje. Të çosh një charter me turistë në Turqi, shteti të subvencionon 8000 dollarë, pohon Sokoli. Edhe vende të tjera fqinje aplikojnë disa lloj subvencionesh, ndërsa Shqipëria nuk ka një skemë të tillë. E sikur të mos mjaftonin problematikat e jashtme me konkurrencën e fortë rajonale dhe ato të brendshme me infrastrukturën, sipas Hoxhës, sot po bëhet e vështirë për të gjetur edhe punonjës në sektor.

Gjithsesi, sipas tij, edhe për këtë vit stafi është i plotësuar. Në fakt, këtë e vë re që në hyrje të hotelit, ku të presin dy vajza të buzëqeshura dhe me uniformë për të të thënë sesi mund të të ndihmojnë.

Teksa jemi duke parë hotelin pranë recepsionit, takojmë Stefaninë, një tjetër turiste gjermane që po porosit peshqirin që do të marrë me vete pranë shelzong. Na sqaron se ka mbërritur në Shqipëri të dielën dhe do të qëndrojë shtatë ditë. “Shqipëria, deri tani, më është dukur e bukur. Edhe hoteli është mirë. Zgjodhëm Shqipërinë prej nostalgjisë së tim shoqi, i cili 19 vjet më parë ka vizituar Veriun e vendit. Ai flet i mrekulluar për atë pjesë, ndaj këtë herë vendosëm të provonim diçka tjetër. Morëm me qira një makinë dhe vizituam Krujën, na bëri shumë përshtypje. Shumë e bukur”, na tregon Stefani.

Në hotel mund të takosh pafund turistë. I tillë është edhe Darek, i cili me një anglishte modeste na sqaron se është nga Polonia dhe se në çdo katër fjalë njëra është “beautiful” (bukur) për Shqipërinë. “Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jemi një grup me 11 veta që do të qëndrojmë 7 ditë. Jam i mrekulluar nga Shqipëria, është një vend kaq i këndshëm edhe Golemi. Kam qenë në Greqi dhe Turqi, por edhe Shqipëria qenka shumë e bukur”, – shprehet Darek.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...