Shqiptarët rritën me 10,3% shpenzimet për turizëm jashtë vendit

Turizëm

Shqiptarët rritën me 10,3% shpenzimet për turizëm jashtë vendit

Më: 26 dhjetor 2019 Në ora: 20:34
Ilustrim

Në Shqipëri është rritur ndjeshëm fluksi i turistëve huaj që vijnë në vendin tonë, por nuk mbetet pas edhe numri i shqiptarëve që shpenzojnë për turizëm apo udhëtime jashtë vendit.

Sipas të dhënave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, mbi 1.2 miliard euro shpenzuan shqiptarët për turizëm dhe udhëtime jashtë shtetit gjatë periudhës janar – shtator 2019.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shpenzimet për turizëm jashtë shtetit janë rritur me 10,3% ose 115 milionë euro më shumë.

Shifra që shqiptarët shpenzojnë për pushime jashtë vendit ka ardhur në rritje të vazhdueshme nga viti në vit.

Greqia është një ndër vendet destinacion kryesor, ku shqiptarët udhëtojnë më shumë për pushime. Por paralelisht vende të tjera të preferuara janë Turqia, Italia, por edhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.

Me gjithë rritjen e shpejtë të shifrës që shqiptarët shpenzojnë për udhëtime jashtë shtetit, bilanci i turizmit vazhdon të mbetet pozitiv, pasi pushuesit e huaj i sjellin ekonomisë më shumë se sa shpenzojnë shqiptarët jashtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë për 9 muajt e parë të këtij viti ekonomia shqiptare përfitoi 1 miliard e 636 milionë euro nga turizmi ose 412 milionë euro më shumë se shpenzimet e shqiptarëve jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat