Parku Korab-Koritnik dhe Valbona gjallërohen nga pranvera, në pritje të turistëve - Bota Sot
Parku Korab-Koritnik dhe Valbona gjallërohen nga pranvera, në pritje të turistëve

Turizëm

Parku Korab-Koritnik dhe Valbona gjallërohen nga pranvera, në pritje të turistëve

Më: 4 maj 2020 Në ora: 14:39
Parku Korab-Koritnik dhe Valbona

Edhe pse kohë pandemie zonat turistike të qarkut të Kukësit janë gjallëruar nga ngjyrat e lulet e pranverës edhe pse dëbora ende nuk ka shkrirë në majat e maleve.

Kjo pranverë e ka zbukuruar më shumë Kukësin dhe Tropojën me lule të shumëllojshme dhe kurorat e gjelbra të pemëve rreth e përqark.

Ermal Hallaçi, guidë turistike në qarkun e Kukësit tha se “në këto zona turistike në këto ditë pranvere ndjehet mungesa e turistëve që në këtë kohë nuk ishte e pakët. Pikat turistike të qarkut sidomos në pranverë pushtoheshin nga turistët vendas e të huaj, që mahniteshin me bukuritë natyrore që ofrojnë Kukësi dhe Tropoja”.

“Në parkun kombëtar të Valbonës që sot do të ishte në përgatitjet e para për sezonin turistik, fundjavat do të ishin plot me turistë duke shfrytëzuar kohën e mirë të këtyre ditëve dhe ajrin e pastër”, – shprehet Hallaçi.

Sipas tij, të paktë kanë qenë banorët e Tropojës që kanë kaluar ndonjë fundjavë në ndonjë lëndinë apo ecje në natyrë.

“E njëjta situatë është edhe në Parkun Natyror Korab-Koritnik qetësi, turistë të huaj jo e jo, por as vendas. Në këto parqe mungojnë grupet e alpinistëve, si dhe të apsionuarit pas ngjitjeve në mal. Por shpresojmë që shumë shpejt kjo situatë të ndryshojë dhe këto zona turistike të kthehen në një oaz pushimi për turistët”, – tha Hallaçi.

Lugina e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, vazhdon të tërheqë çdo ditë e më shumë turistë vendas e të huaj. Fundjavat janë dhe piku më i lartë i këtij fluksi. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.

Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.

Ndërsa parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat