Operatorët në Mal të Zi kërkojnë mbrojtjen e sektorit të turizmit pas COVID-19 - Bota Sot
Operatorët në Mal të Zi kërkojnë mbrojtjen e sektorit të turizmit pas COVID-19

Turizëm

Operatorët në Mal të Zi kërkojnë mbrojtjen e sektorit të turizmit pas COVID-19

Më: 11 maj 2020 Në ora: 07:40
Mali i Zi

Operatorët e turizmit janë të shqetësuar me dëmin ekonomik që shkaktoi COVID-19 në sektorin e turizmit duke kërkuar një pako gjithëpërfshirëse të qeverisë në sanimin e situatës.

Analistët vlerësojnë se ndërhyrja e shtetit për ta mbrojtur këtë industri është e rëndësishme pasi ekonomia e turizmit siguron gati 80% të të ardhurave në Komunën e Ulqinit.

Turizmi në Komunën e Ulqinit do të jetë sektori më i prekur nga pasojat e COVID-19. Operatorë të turizmit vlerësojnë se dëmi ekonomik do të jetë i paevitueshëm pasi çdo aktivitet po përballet me sfidën e mbijetesës. Menaxheria e turizmit, Suzana Taipi vë në dukje se Ulqini varet nga turizmi, pikërisht nga niveli i mbarësisë së sezonit turistik.

“Hoteli Mediteran, Ulqini dhe i tërë Mali i Zi varet nga sezoni turistik dhe nga suksesi i realizimit të kësaj veprimtarie. Ne punojmë gjatë tërë vitit për të realizuar një sezone të suksesshme. Nëse nuk arrijmë të fitojmë të ardhura, të hapim vende pune dhe të paguajmë taksa atëherë edhe hoteli bie në humbje, “ thotë zonja Taipi.

Operatori turistik, Prelë Shkreli mendon se situata aktuale do të lë pasoja afatgjate nëse pakoja emergjente e qeverisë nuk kontribuon në masën e duhur në mbrojtjen e këtij sektori të rëndësishëm.

“Qeveria i ka paralajmëruar disa ndihma, por asgjë konkrete nuk kemi. Ne kemi bërë kërkesa duke iu lutur që në këtë vit plazhet të lirohen nga qiraja”, tha zoti Shkreli.

Edhe zonja Taipi mendon se pakoja emergjente e qeverisë duhet të jetë më mbështetëse.

“Pakot e qeverisë janë publikuar, ne se kompani akoma nuk kemi përfituar, por besoj që do të jetë një ndihmë sadopak e vogël dhe pozitive për sektorin tonë”, tha menaxheria Taipi.

Autoritetet, ndërkaq theksojnë se në këtë situatë do të ndihmohet një nga degët kryesore të ekonomisë siç është turizmi dhe kjo ndihmë fillimisht do të përfshijë punonjësit e turizmit. Zëvendësministri i Turizmit në Mal të Zi, Qazim Hoxhiqi vlerëson ndihmën e qeverisë në fushën e turizmit.

“ Qeveria ka marrë parasysh hotelet dhe objektet tjera që ishin duke punuar para se të merreshin masat ndaj COVID-19. Është paraparë që për ato muaj rroga e punonjësve 100% të paguhet . Është përgatitur edhe pakoja e radhës, e cila këto ditë do të definohet në mbështetjen e këtij sektori”, tha zoti Hoxhiqi.

Analistët vlerësojnë se ndërhyrja e qeverisë për ta mbrojtur këtë industri është e rëndësishme pasi, sipas tyre, ekonomia e turizmit siguron gati 80% të të ardhurave në Komunën e Ulqinit./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat