Turizmi “patriotik” shpëtoi sezonin veror në Shqipëri

Turizëm

Turizmi “patriotik” shpëtoi sezonin veror në Shqipëri

Më: 14 shtator 2020 Në ora: 10:12
Foto ilustrim

Ndërsa afrohet fundi i sezonit, të dhënat zyrtare nga Kosova dhe Shqipëria për numrin e vizitorëve që muajt e verës kanë kaluar vendkalimet kufitare janë kontradiktore. Por ajo që nuk kontestohet është se numri më i madh i tyre janë shqiptarë – shtetas nga Kosova e Maqedonia Veriore.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë gushtit për në Shqipëri për pushime kanë dalë 810 mijë e 71 qytetarë të Kosovës. Kjo shifër është 3.56% më e lartë se e gushtit të vitit kaluar, periudhë në të cilën nuk ekzistonte pandemia.

Ndërsa Departamenti për Kufirin dhe Emigracionin në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Shqipëri, në përgjigjen dhënë KOHËS ka bërë të ditur se numri i hyrjeve të shtetasve të huaj për muajin gusht 2020 është 349.227 persona me 100.010 automjete, ose 56.9% më i ulët se ai e raportuar nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, dhe 55.21% më i ulët se gushti i vitit 2019. Në gusht të vitit të kaluar kanë hyrë në Shqipëri nga pikëkalimi kufitar i Morinit 781.227 persona. Thuajse e njëjta përqindje rezulton të jetë edhe për periudhën 7-mujore (janar-gusht). Në këtë periudhë kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 853.525 vizitorë, ose 53.85% më pak se e njëjta periudhë e vitit kaluar, kur Shqipërinë e kanë vizituar 1.838.772 vizitorë nga Kosova.

Edhe ekspertët e turizmit thonë se Shqipëria nuk ka shifra të sakta në turizëm. Ata i konsiderojnë lojë shifrash deklaratat që vijnë për milionat e turistëve të ardhur në Shqipëri.

“Qeveria përdor termin ‘vizitorë’ e jo ‘turistë’. Organizata Botërore e Turizmit njeh për turistë ata udhëtarë që rrinë më shumë se 24 orë. Kjo është loja e shifrave që vazhdon të bëhet. Ne nuk kemi një bilanc të saktë të shifrave, por thjesht kemi njerëz që qarkullojnë”, thotë kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi, duke shtuar se në kufi nuk ka pyetësor të qartë për arsyen se pse dikush po hyn në territorin shqiptar dhe se nuk pyeten të gjithë, e kësisoj shifrat nuk janë reale.
Policia e Shtetit në Shqipëri, kompetente për hyrjet dhe daljet në territorin shqiptar, thotë se të gjithë shtetasit shqiptarë apo të huaj pyeten në pikat e kalimit kufitar në Shqipëri për qëllimin e udhëtimit.

“Të gjithë personat në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë janë subjekt i verifikimit kufitar minimal dhe tërësor, ku përfshihet edhe verifikimi i destinacionit final dhe qëllimi i udhëtimit. Përjashtim nga rregullat e përgjithshme të verifikimit kufitar të cituar më sipër kanë vetëm kategori të veçanta të personave dhe mjeteve”, theksojnë burime të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Policia gjithashtu shton se Departamenti për Kufirin dhe Migracionin është i angazhuar në zbatimin korrekt të kërkesave të Ligjit për verifikimin e shtetasve gjatë kalimit të kufirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat