Turizmi Shqipëri – Greqi: Të dy palët mund të përfitojnë

Turizëm

Turizmi Shqipëri – Greqi: Të dy palët mund të përfitojnë

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 10:43
Ishulli Lefkada, Greqi

Greqia është një nga destinacionet turistike më të famshme në botë. Shumë turistë shqiptarë zgjedhin të kalojnë pushimet atje. Turistët grekë në Shqipëri janë të rrallë, por vërehet një interes në rritje.

Në ditët e fundit të qershorit të këtij viti, Gjirokastra kapi temperaturat më të larta në Shqipëri. Por fatmirësisht vapa u balancua me shifrat 0 të rasteve të reja të infektimeve nga virusi Corona. E megjithatë, përtej ulje-ngritjeve, rrugicat e kalldrëmta e zhuritëse kanë filluar të popullohen sërish nga turistët, në qytetin që është thuajse i gjithi në rindërtim e sipër.

Në pjesën e vjetër dhe muzeale  të qytetit gjendet hoteli i parë privat që u ndërtua pas rënies së diktaturës. Drago Kalemi, mësues në profesion, por me një eksperiencë edhe si punonjës në doganën e Kakavies dhe gjithashtu edhe si guidë turistike, e njeh mirë historikun e turizmit në Gjirokastër. Sidomos atë me Greqinjë fqinje. "Në kohën e komunizmit ka pasur më shumë ardhje turistësh nga Greqia Njëkohësisht ka pasur edhe turistë që vinin nga Korfuzi. Vinin me traget. Turi i tyre ka qenë vizita në Butrint, ose Syrin e Kaltër ose një pjesë vinin e shihnin dhe Gjirokastrën. Por me ardhjen e demokracisë, turizmi grek e humbi atë interesin e madh që kishte në ato kohëra dhe tani nuk është se ngre ndonjë peshë të madhe në turizmin shqiptar. Më të shumtë janë turistët shqiptarë që shkojnë me pushime në Greqi. Kjo është ajo që unë kam konstatuar gjatë këtyre viteve” – thotë ai për Deutsche Welle.

Image
Gjirokastra

Bledar Kalemi menaxhon prej vitesh biznesin familjar. Edhe ai konfirmon përqindjen e ulët të turistëve grekë në Gjriokastër. "Turizmi me Greqinë është në shifra të vogla dhe thuajse i papërfillshëm, nëqoftëse  krahasojmë turistët e huaj me turistët grekë. Është një vlerë diku tek 1% ose më pak. Më të shumtë janë emigrantët shqiptarë, të cilët kur vijnë tek familjet e tyre mund të qëndrojnë një natë në Gjirokastër” – thotë ai, duke iu referuar edhe rezervimeve para pandemisë.

Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër, gjatë viteve të fundit u është dhënë rëndësi projekteve ndërkufitare të turizmit, pasi është pikërisht ky sektor dega më e rëndësishme e ekonomisë lokale. Sipas të dhënave zyrtare që kjo Dhomë disponon, rezulton se turistët nga Greqia janë kryesisht ditorë, me përjashtim të rasteve të festave të minoritetit grek në Gjirokastër. "Përsa i përket turistëve grekë, duhet theksuar sidomos periudha e verës, periudha e festave të tyre kombëtare ose e festave të fshatrave minoritare, periudhë gjatë së cilës ata vijnë, akomodohen dhe qëndrojnë një ose dy ditë në varësi të festës dhe rikthehen përsëri në vendin e tyre” – thotë për DW Brunilda Lame, Sekretare e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër.

Image
Drago Kalemi

Shifra optimiste

Referuar statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, në vitin 2019, para pandemisë, numri turistëve që hynin nga Greqia ishte rreth 553 mijë persona, pa specifikuar nëse në këtë kategori bëjnë pjesë edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë andej. Po sipas të njëjtave të dhëna, rezultoi se netët e qëndrimit mesatar ishin 3.7 ditë, 78% e tyre qëndruan në hotele dhe shpenzimet ditore për person ishin 78 Euro.

"Kur flasim për turizmin me Greqinë, duhet të kuptojmë që kemi të bëjmë me dy kategori: atë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe vijnë gjatë verës për të vizituar familjet e tyre, si dhe turistët grekë” – sqaron Adrian Civici, Doktor i Shkencave Ekonomike, njëkohësisht Rektor pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. "Përsa i përket turizmit grek, natyrisht në vitet e fundit ka pasur një shtim të tyre dhe ka plot raste që shikon turistë të organizuar, në kategori të ndryshme sociale dhe profesionale nga Greqia që vijnë për të vizituar Shqipërinë. Do të thoja që vitet e fundit ka një interes më të madh nga turistët grekë për të vizituar Shqipërinë. Ajo që të bën përshtypje janë  më tepër mosha të mesme dhe të mëdha. Kurse në sens të kundërt, numri i shqiptarëve që shkojnë të pushojnë në Greqi është një numër i konsiderueshëm dhe do të thoja që është më i madh se ai i turistëve shqiptarëve që shkojnë në Turqi ose në vende të tjera”.

Shqiptarët, të dashuruar me Lefkadhën

Anni Korre nga Tirana, erdhi për herë të parë në Lefkadhë në moshën 20-vjeçare. Kjo ndodhi 29 vite më parë. Ajo u magjeps nga bukuritë e ishullit dhe i lindi dëshira që bashkëatdhetarët e saj të përjetonin gjithashtu ndjesitë unike që të jep Lefkadha. "Mendoj se ky është vendi ku Zoti u ul për ta pikturuar” – thotë ajo. Anni vendosi të reklamonte ishullin në Shqipëri. Kjo ishte nisja e turizmit shqiptar në Lefkadha. Deri atëherë, turistët shqiptarë kishin si destinacion të preferuar Korfuzin ose Halkidhikinë. Kur ajo nisi të bindte turistët shqiptarë për të ardhur në ishull, ata nuk reagonin menjëherë, prandaj asaj iu desh t'i joshte për të shkuar atje. Një urë lidh ishullin me rrugën kryesore – ideale për turistët që vijnë me makinë, si shumica e bashkëatdhetarëve të saj.

Image
Anni Korre

Anni Korre i mirëpret ata në dhomat që lëshon me qira në fshatin e Nidrit, në pjesën piktoreske lindore të ishullit. Por brenda një kohe të shkurtër, nevojiteshin më tepër dhoma për të sistemuar turistët shqiptarë. "Pas vitit 2012 ishte kulmi i turizmit shqiptar këtu dhe nuk ishim në gjendje të siguronim mjaftueshëm dhoma pë rata që donin të vinin”.

Në fillim grekët ngurronin, pasi shqiptarët i mendonin vetëm si emigrantë, të cilët në Greqi shkonin vetëm për të punuar. Por me kalimin e kohës nisin t'i vlerësonin vizitorët nga shteti fqinj. Një prej tyre është Makis Yiannakoulis. Ai ka pronësi restorantin e peshkut Ligia. Makis nuk i konfirmon zërat se turistët shqiptarë nuk shpenzojnë shumë pará gjatë pushimeve. Autobusë të tërë me turistë shqiptarë ndalojnë për të ngrënë në tavernën e tij. "Ata janë mes turistëve të shumtë që shpenzojnë pará këtu. Përveç restoranteve dhe hoteleve, ata e shijojnë jetën e natës dhe bëjnë pazare në tregun vendas”.

Greqia Veriore përfiton nga fqinjët

Për Aris Ikkos‚ ‘turizmi me makina' nga shtetet e Ballkanit që vizitojnë Greqinë, mbase nuk është pesha kryesore për përfitimet ekonomike, por as nuk mund të lihet mënjanë.  Ai është drejtori kërkimor i INSETE, institut kërkimor për turizmin, në Athinë. "Është shumë e rëndësishme të mbështeten bizneset turistike që operojnë në treg me fqinjët ballkanikë”. Ikkos thekson se dizajnimi i industrisë së turizmit në këto rajone përshtatet me kapacitetin shpenzues të shteteve të pjesës veriore të kufirit. Të ardhurat mesatare në të gjithë vendet ballkanike janë mjaftueshëm më të ulëta se në Gjermani, Britaninë e Madhe ose Francë. "Është një kontribut i rëndësishëm që "turizmi me makina” po jep për Greqinë Veriore dhe jetesën e njerëzve atje”.

Sipas një studimi të INSETE në vitet 2012-2019, ‘turizmi me makina' përbënte 30% të turistëve që hynin në Greqi, por me një përfitim të ardhurash në vetëm 10%. Dhe kjo ndryshon nga shteti në shtet. Studimi tregon se në vitin 2019 turistët serbë shpenzuan më shumë para gjatë udhëtimeve të tyre në Greqi (318 Euro), të ndjekur nga turistët rumunë (311 Euro). Shqipëria renditet e treta, me turistë që shpenzuan mesatarisht 218 Euro (pavarësisht kohës së qëndrimit). Përveç të ardhurave të tyre më të ulëta, ka gjithsesi një arsye tjetër se pse turistët shqiptarë dhe nga vendet e tjera ballkanike kontribuojnë më pak në të ardhurat e përgjithshme të turizmit grek. "Kemi të dhëna se shumë prej tyre vizitojnë miq dhe të afërm që kanë këtu në Greqi, prandaj mund të qëndrojnë tek ata”. Në këtë mënyrë ata mund të qëndrojnë më gjatë, por nuk shpenzojnë pará për hotel. Por gjithsesi bëjnë pazare, konsumojnë pije në bare dhe drekojnë në restorante.

Image
Pamje nga Lefkada

Të dyja palët mund të përfitojnë

Pandemia ka qenë një periudhë e vështirë për turizmin në mbarë botën. Makis Yiannakoulis shpreson që klientët e tij shqiptarë të rikthehen sa më shpejt në Lefkadha, për të ngrënë në restorantin e tij. Yiannakoulis dëshiron që bashkëatdhetarët e tij të vizitonin anën tjetër të kufirit. "Ne duhet gjithashtu që të vizitojmë vendin e tyre dhe të nisim shkëmbimin e turistëve mes Greqisë dhe Shqipërisë”.

Në fund të fundit, turizmi është më shumë se thjesht industri. Turizmi ka fuqinë të kapërcejë kufij, në të gjitha kuptimet e fjalës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat