Llixhat e Sarandoporit, atraksion i veçantë për turistët

Turizëm

Llixhat e Sarandoporit, atraksion i veçantë për turistët

Më: 10 korrik 2021 Në ora: 22:52
Llixhat e Sarandoporit

Llixhat e Sarandoporit dhjetë minuta larg Leskovikut, janë populluar në fundjavë nga të rinj dhe turistë të ndryshëm.

Një grup të rinjsh nga Korça dhe jo vetëm kanë zgjedhur për të vizituar këtë vend, me dëshirën për ta promovuar dhe për të tjerët.

“Kemi ardhur nga Tirana, një grup të rinjsh së bashku me disa të rinj nga Korça, me projektin Alltour. Si projekt ka synim promovimin e ujërave termalë po në Sarandopor dhe në Bënjë, por sot jemi të fokusuar në Sarandopor. Duam që këto ujëra termale të marrin vëmendjen e duhur, jemi rreth 50 veta”, tha njëra prej vizitoreve.

Vetë të rinjtë shprehen të kënaqur nga pamja që llixhat falin dhe rrëfejnë se do të rikthehen përsëri.

“Vij nga Tirana, kam ardhur me shoqërinë në Sarandopor. Për herë të parë kam dëgjuar nga mediat, portalet dhe postimet e ndryshme. Po kaloj shumë mirë, ambienti është shumë i lezetshëm, ka shumë burime natyrore. Çdo gjë është perfekte”, shtoi një tjetër.

Për drejtorin e Agjencisë së Zonave të Mbrojturam Iljon Thanas kjo është një nga zonë me plot vlera turistike dhe kurative.

“Janë dy burime të mëdha dhe 40 burime të vegjël me vlera kurative, peizazhin e bukur, mund të bëhet edhe plazh në brigjet e Vjosës dhe ka vlera shumë të veçanta. Pavarësisht infrastrukturës është goxha i vizitueshëm dhe i frekuentuar, kryesisht në zonën e verës”, shtoi ai.

Nënprefekti i Kolonjës, Sergei Peshtani veçon vlerat e kurative që ofrojnë llixhat e Sarandoporit.

“Vlerat kurative janë të padiskutueshme sepse shërojnë, kurojnë sëmundje të brendshme, të ekzemave, të lëkurës dhe më e rëndësishmja, kur ngrohet artificialisht uji nëpër vaska në temperaturën 36 gradë, atëherë ka një veprim maksimal dhe çudibërës për sëmundjet e reumatizmale, deformimit të eshtrave dhe me radhë. Është një ujë që del shumë i pastër dhe duke i pirë njëkohësisht shërben shumë për sëmundjet e ulçerës, verdhëzës, ato të mëlçisë, aparatit tretës e të tjera”, shtoi ai.

Përfaqësues nga Ministria e Turizmit pranojnë problematikën e infrastrukturës.

“Në fakt lidhur me infrastrukturën dhe ne e kemi të njëjtin shqetësim, mendojmë që do të ketë ndërhyrje, për momentin ministria është duke punuar dhe duke marrë masa që të promovojnë pika me rëndësi të tilla turistike. Në vazhdimësi i mbetet vendimmarrësve për të vendosur një gjë të tillë”, thotë Shpresa Mezini.

Llixhat e Sarandoporit janë të njohura edhe për faktin se janë vizituar edhe nga figura e njohur siç ishte Lord Bajroni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat